Policia e Kosovës ka raportuar tri raste të dhunës në familje gjatë ditëve të fundit në Gjakovë dhe Mitrovicë.
Rasti i parë është raportuar të martën në Gjakovë, ku një grua ka deklaruar se ka qenë viktimë e dhunës në familje. Lidhur me rastin janë arrestuar dy persona të dyshuar, të cilët pas intervistimit dhe me vendim të prokurorit janë liruar në procedurë të rregullt.
Po në Gjakovë, një grua është sulmuar fizikisht nga bashkëjetuesi i saj pas një mosmarrëveshjeje. Viktima ka pranuar trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari nuk është arrestuar deri më tani. Për rastin është njoftuar prokurori dhe hetimet janë duke vazhduar.
Ndërkohë, në Mitrovicën e Jugut, policia ka arrestuar një burrë të dyshuar se ka ushtruar dhunë fizike dhe psikike ndaj bashkëshortes së tij. Ngjarja kishte ndodhur më 14 qershor, ndërsa pas ndërhyrjes së autoriteteve, i dyshuari është dërguar në mbajtje me vendim të prokurorit.
Policia ka bërë të ditur se rastet po trajtohen sipas procedurave ligjore dhe se hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave janë në vazhdim.
D.L
