UBT News

Tri raste të dhunës në familje brenda 24 orëve

Brenda 24 orëve të fundit, në Policinë e Kosovës janë raportuar tri raste të dhunës në familje. Rastet janë regjistruar në Graçanicë, Gjilan dhe Istog.

Në rastin e parë në Graçanicë, një burrë është arrestuar pasi në gjendje të dehur ka sulmuar një grua dhe më pas ka kanosur edhe persona të tjerë. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Ndërkaq, në Gjilan është arrestuar një person i cili dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj një gruaje. Gjatë ndërhyrjes, policia i ka konfiskuar të dyshuarit edhe një armë zjarri me një karikator të zbrazët. Pas intervistimit, ai është dërguar në mbajtje.

Edhe në Istog është regjistruar një incident i ngjashëm, ku një burrë është arrestuar nën dyshimin se ka sulmuar fizikisht një grua, shtetase e Shqipërisë. Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, i dyshuari është liruar dhe rasti do të vazhdojë të trajtohet në procedurë të rregullt.

Exit mobile version