UBT News

Tri raste të armëmbajtjes pa leje brenda një dite, policia sekuestron armë dhe municion

Sipas raportit 24 orësh të Policisë, gjatë datës 3 maj janë regjistruar tri raste të ndara të mbajtjes në pronësi, kontroll apo posedim të paautorizuar të armëve në Ferizaj, Lipjan dhe Prizren.

Në rrugën “Gucia” në Ferizaj, një i dyshuar mashkull kosovar është shoqëruar në stacion policor, pasi gjatë kontrollit në shtëpinë e tij janë gjetur dhe sekuestruar një pistoletë me gas, pesë fishekë dhe një shurdhues i armës së zjarrit. Me vendim të prokurorit, pas intervistimit, rasti vazhdon në procedurë të rregullt.

Ndërkaq, në rrugën “Bajram Gashi” në Lipjan, njësitë policore kanë kryer bastisje në dy lokacione të ndryshme. Gjatë kontrollit në shtëpitë e dy të dyshuarve, një femër dhe një mashkull kosovar, janë gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri, një karikator me 9 fishekë, 14 fishekë të tjerë si dhe dy karikatorë të zbrazët. Me vendim të prokurorit, pas intervistimit, i dyshuari mashkull është dërguar në mbajtje, ndërsa e dyshuara femër është liruar në procedurë të rregullt.

Rasti i tretë është regjistruar në fshatin Kobaj të Prizrenit, ku një i dyshuar mashkull kosovar është shoqëruar në stacion policor, pasi gjatë kontrollit të veturës së tij është gjetur dhe sekuestruar një pushkë gjuetie me pesë fishekë. Me vendim të prokurorit, edhe ky rast vazhdon në procedurë të rregullt.

Autoritetet bëjnë të ditur se hetimet lidhur me këto raste janë në vijim.

Exit mobile version