Tri partitë parlamentare në Kuvendin e Kosovës, LVV, PDK dhe AAK kanë shfaqur qëndrime të ndryshme për nevojën për miratimin e Ligjit për lobim.
Në tryezën e Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), në lidhje me këtë çështje, partia në pushtet u shpreh më skeptike për miratimin e këtij ligji, ndërkaq dy partitë opozitare e theksuan nevojën që përmes këtij projektligji të rritet transparenca dhe llogaridhënia e ekzekutivit.
Shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, tha se lobimi nuk është i rregulluar juridikisht, mirëpo ai ndodh vazhdueshëm në Kuvend. Ajo tha se ky proces është kompleks, pasi kompanitë e fuqishme dhe grupet e interesit mund të bëhen më të fuqishme përmes këtij projektligji.
Nevojën për rregullimin ligjor të lobimit e potencuan deputetja e PDK-së, Blerta Deliu dhe deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj. Ajo përmendi edhe rastin e angazhimit të Gani Jakupit si këshilltar në MPJD për të lobuar për fuqizim ndërkombëtar. Sipas saj, kjo çështje duhet ketë më shumë llogaridhënie, andaj ligji për lobim do ta ndihmonte atë.