UBT News

Tri objekte u rrënuan në Karaçevë

Mëngjesin e sotëm në Karaçevë ka nisur një aksion për rrënimin e objekteve të cilat ilegalisht po ushtronin veprimtarinë e lojërave të fatit.

Bëhet fjalë për tri objekte, ku po zhvillohej një veprimtari e tillë dhe gjithashtu arrestimin e disa personave. Këtë e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani.

“Policia e Kosovës në bashkëpunim dhe koordinim me Prokurorinë Themelore në Gjilan dhe autoritet komunale, është duke e realizuar një operacion policor në zonën e Kamenicës. Informacione më të plota do të jepen pas përfundimit të operacionit policor”, tha Kelani.

Për këtë ka shkruar edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla i cili ka thënë se arrestimi i këtyre personave po zhvillohet edhe tani.

“Pas konfiskimit të aparateve për lojërat e bixhozit, u rrënuan objektet e ndërtuara ilegale si dhe arrestimet e personave të përfshirë në këtë aktivitet kriminal po vazhdojnë edhe në këto momente”, ka thënë Sveçla.

Kjo është hera e dytë që po zhvillohet një aksion i tillë. Vitin e kaluar ishin rrënuar 12 objekte dhe ishin arrestuar më shumë se 70 persona. 

Exit mobile version