Vizitën në Kosovë të zëvendësndihmës sekretarit të Shtetit amerikan, Matthew Palmer dhe emisarit special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare po e konsiderojnë si sinjal pozitiv të bashkëpunimit transatlantik për arritjen e një marrëveshje finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ata për KosovaPress tregojnë tri mesazhet kryesore të vizitës së Palmer dhe Lajçak.
Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Afrim Hoti thotë se mesazhet e diplomatëve ndërkombëtarë janë domosdoshmëria për rinisjen e dialogun, arritja e njohjes reciproke dhe gjetja e një kompromisi ndërmjet negocimit të Kosovës dhe Serbisë.
“Parimisht janë tri mesazhe kryesore, e para është domosdoshmëria që të riniset procesi i bllokuar tash e sa kohë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Mesazhi i dytë është që ky proces duhet të përmbajë në bërthamën e vet një marrëveshje sepse ajo është e domosdoshme që dy kombet të ecin përpara. Njohja e ndërsjellët që të jetë dritë jeshile dhe të hapë perspektivën për dy vendet. E treta se SHBA dhe BE nuk kanë ndonjë mrekulli në kuptimin e prezantimin të ndonjë zgjidhje, apo çfarëdo zgjidhje apo kompromisi do të jetë si rezultat i negocimit nga palët”, tha Hoti.
Ardhjen e përbashkët në Kosovë të Palmer dhe Lajçak, Violeta Haxholli nga KDI po e sheh si përçim i mesazhit të bashkëpunimit mes BE-së dhe SHBA-së para rifillimit të dialogut dhe takimit ndërmjet kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq.
“Vizita e Lajçak dhe Palmer, siç treguan edhe vet ata ka ndodhur para këtij takimi, në mënyrë që edhe ata të përçojnë mesazhet e tyre ndaj palës kosovare dhe të shohin cili është qëndrimi i tyre sa i përket dialogut. Arsye pse ata erdhën së bashku tregon që SHBA mbështesin rolin e BE si lehtësues për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, pasi në këtë rast BE është lehtësuesja e procesit dhe SHBA mbështetëse, siç ka ndodhur nga fillimi i dialogut Kosovë-Serbi. Por me një përfshirje më aktive të BE-së në këtë fazën përfundimtare, e që qëllimi është arritja e një marrëveshje finale ligjërisht obliguese ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, tha Haxholli.
Përkundër deklaratave se ky vit mund të jetë pozitiv për dialogun Kosovë-Serbi dhe përgjithësi Ballkanin Perëndimor, Haxholli nga KDI thotë për KosovaPress se një gjë e tillë është e vështirë, pasi pala serbe nuk po lëviz nga pozicioni i saj.
“Deri tani kemi parë që kjo dëshirë e lehtësuesve të dialogut nuk është realizuar. Kjo për arsye se arritja e një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë varet nga vullneti i Kosovës dhe Serbisë, dhe sa Kosova dhe Serbia janë të gatshme që ta arrijnë këtë marrëveshje që do të përmbyllte konfliktin ndërmjet dy vendeve. Fakti që është një marrëveshje finale flet për seriozitetin e kësaj marrëveshje, e cila është më ndryshe se tjerat. Më vështirë e arritshme. Kjo do të thotë se në fund të saj Serbia duhet ta pranojë realitetin që ka ndodhur në Kosovë, shpalljen e pavarësisë dhe në këtë rast pala serbe e ka më të vështirë të lëvizë nga pozicioni i saj se nuk heq dorë nga Kosova e kështu me radhë. Prandaj arritja e kësaj marrëveshje është mjaft e vështirë sepse flitet për një përmbyllje dhe rregullim të të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë si dy shtetet të ndara”, tha Haxholli.
Gjatë vizitës dyditore në Kosovë, Palmer dhe Lajçak takuan krerët institucionalë në vend. Për dallim nga përfaqësuesi i BE-së për dialogun, zëvendës ndihmës sekretari i Shtetit amerikan, Matthew Palmer takoi edhe partitë opozitare. Derisa sot, në përmbyllje të qëndrimit në Kosovë mbajtën një konferencë për medie