Të paktën 26 fëmijë të moshës nga pesë deri në gjashtë u dogjën për vdekje dje kur klasat e tyre të ndërtuara me kashtë dhe dru morën zjarr në Nigerinë jugore, përcjell UBT News.
“Për momentin kemi 26 të vdekur dhe 13 të plagosur, katër prej tyre në gjendje të rëndë”, tha Chaibou Aboubacar, kryebashkiak i qytetit Maradi.
Nigeri, një nga vendet më të varfra në botë, është përpjekur të rregullojë mungesat e ndërtesave shkollore duke ndërtuar mijëra kasolle druri me kashtë për të shërbyer si klasa, ku fëmijët qëndrojnë të ulur në tokë.
Zjarret në klasa janë të zakonshme, por rrallëherë rezultojnë në viktima, transmeton UBT News.
Nga e marta në rajonin Maradi është shpallur tri ditë zie.
Edhe gjatë prillit të këtij viti, njëzet fëmijë u dogjën për vdekje në një zjarr në shkollë në një lagje në Niamey.
“Kjo ngjarje tragjike e vë edhe një herë popullin nigerian në zi”, tha qeveria në një deklaratë dhe shtoi se klasat e ndërtuara me kashtë do të ndalohen tani e tutje në të gjithë vendin.
Issoufou Arzika, sekretari i përgjithshëm i Unionit të Mësuesve të Nigerit, tha se zjarri kishte “shkatërruar” shkollën në Maradi.
“Më mirë të mbahet mësimi nën pemë sesa në kasolle prej kashte, të cilat janë bërë varre për nxënësit”, tha ai./UBTNews/