UBT News

Trepça ’89 përsëri në Superligë

Alketa Zejnullahu, gazetare e UBTNews

Ekipi nga Mitrovica, Trepça ’89, pas një viti të kaluar në Ligën e Parë të futbollit kosovar u rikthye fuqishëm në Superligë. Në 27 ndeshje të zhvilluara në sezonin 2021/2022, kanë arritur 16 fitore, 10 barazime dhe vetëm një humbje.

Timonieri i skuadrës, kryetrajneri Shpëtim Idrizi shprehet optimist për skuadrën e tij në raport me ekipet tjera të Superligës duke thënë se kanë ndërtuar një ekip të ri, por gjatë kësaj periudhe janë rritur si lojtarë dhe nuk pret dallim nga skuadrat tjera.

Shpëtim Idrizi, kryetrajner i Trepçës ’89

“Nga fillimi i kampionatit kemi qenë bindshëm ekipa më e mirë në Ligën e Parë në çdo aspekt, çelësi i këtij suksesi është puna, disiplina dhe grupi homogjen të cilin e kemi krijuar”, u shpreh Idrizi.

Ambiciet e ’89 per sezonin e ardhshëm janë mjaft të larta.

“Trepça ’89 gjithmonë ka ambicie dhe lufton për kreun e tabelës dhe në kontekst të saj edhe Kupën e Kosovës por e rëndësishme është që në fund të sezonit të dalim në garat evropiane dhe mendoj që do e arrijmë qëllimin. Sa i përket transfereve realisht na duhen së paku katër përforcime që të jemi sa më komod kur dihet se kampionati do të jetë jashtëzakonisht i ngjeshur me ndeshje”, përfundoi kryetrajneri.

Udhëheqësi i bashkëlojtarëve në fushë, kapiteni Ardian Muja tregoi se janë të gatshëm për sfidat e reja dhe u shpreh se vet rezultatet si dhe të arriturat janë shenjë pozitive që ata janë të përgatitur për rikthim në ligën elitare të Kosovës.

Ardian Muja, kapiteni i Trepçës ’89

“Personalisht për mua ka qenë shumë e vështirë duke i ditur edhe rrethanat se si kemi rënë nga liga, mirëpo me grupin e krijuar si dhe organizimin nga ana e kryesisë, punën e stafit të trajnerëve dhe me përkrahjen e tifozëve tanë, arritëm rikthimin e shpejtë në Superligë. Motivi im si dhe i të gjithë bashkëlojtarëve është se nga dita e parë e fillimit të përgatitjeve e kemi pasur të qartë objektivin e vetëm, rikthimin në Superligë, pra si kapiten i falenderoj bashkëlojtarët për seriozitetin, respektin dhe punën profesionale të treguar gjatë tërë sezonit”, tha Muja.

Ai përfundoi duke thënë se largimi nga Superliga iu ka shërbyer që të mësojnë se si të mos rrëzohen asnjëherë më.

Top golashënuesi i skuadrës, mesfushori defanziv, Rilind Nimani, ka shënuar 10 gola dhe ka asistuar shtatë herë për skuadrën e tij në këtë sezon. Ai shpreson që të mos pësojë ndonjë lëndim në fazën përgatitore dhe të vazhdojë ecurinë e tij pozitive.

Rilind Nimani, mesfushori defansiv i Trepçës ’89

“Duke u bazuar në formën aktuale, ndihem shumë mirë dhe jam optimist në këtë aspekt. Një gjë e di se në Superligë nuk do të jetë e lehtë, mirëpo me bashkëpunim mes lojtarëve dhe stafit të trajnerëve besoj që arrihet gjithçka”, tha Nimani.

Nga super paraqitjet e tij pa dyshim që ka kërkesa për të siguruar shërbimet e tij nga disa skuadra tjera.

“Interesim ka si nga klubet kosovare, e po ashtu edhe nga jashtë Kosovës, mirëpo ditët në vijim do të ulemi dhe do të diskutojmë me klubin në lidhje me të ardhmen time. E vetmja gjë që mund të them është se ndihem shumë më rehat tani që KF Trepça ’89 është rikthyer në Superligë dhe jam super i gatshëm që të kemi të njëjtën ecuri edhe në këtë ligë”, e përmbylli intervistën ai.

Sa i përket financimit dhe menaxhimit të ’89, zëdhënësi i ekipës, Lulzim Imeri tregoi se investitori kryesor i mitrovicasve do të vazhdojë të mbetet, Abedin Zeka, i cili është edhe presidenti i klubit.

Lulzim Imeri, zëdhënës i Trepçës ’89

“Falë angazhimit të palodhur të kryesisë së prirë nga presidenti Zeka e gjithashtu falë punës shumë profesionale të stafit të trajnerëve me udhëheqjen e Shpëtim Idrizit dhe përfundimin e mbarë të detyrave nga akterët kryesorë “Luanët e Nëntokës”, lojtarët e KF Trepçës ’89, ne u rikthyem në Superligë. Në një periudhë kohore më shumë se 20-vjeçare njëri ndër investitorët kryesorë ka qenë gjithmonë presidenti aktual, Abedin Zeka, i njohur si Beki dhe do të vazhdojë si i tillë. Ka edhe një numër simbolik sponsorësh për të cilët menaxhmenti iu është mirënjohës dhe falenderues”, tha Imeri.

Futbolli zhvillohet për tifozët dhe ata iu gëzohen më së shumti sukseseve të klubit. Shefqet Begu është njëri ndër tifozët më besnik të klubit dhe e ndjek çdo ndeshje të ‘89 që nga themelimi i ekipës. Me shumë emocion flet edhe për ndeshjet e ekipit të tij të zemrës.


Shefqet Begu (në mes), bashkë me ndihmëstrajnerin dhe kryetrajnerin e Trepçës ’89

“Për mua si tifoz emocionet janë të mdhaja në çdo lojë, 90 minuta, pavarësisht se në cilën ligë luan ekipa e zemrës time. Ndeshja më e veçantë për mua është ajo ndaj Ballkanit të Suharekes kur kemi qenë në Superligë, ishim duke humbur tre me zero dhe e kemi rikthyer rezultatin në katër me tre. Kjo ndeshje ka qenë plot me emocione dhe një fitore që nuk harrohet. Pas rikthimit në Superligë pres shumë nga Trepça’89. Dua të luftojnë për kualifikime evropiane por edhe për titull kampioni apo fitues të Kupës së Kosovës”, u shpreh 57-vjeçari Begu.

Në vitin 1992, klubi u themelua si Minatori ’89. Numri 89, simbolizon vitin e grevës së minatorëve të Kosovës në vitin 1989. Përveç kampion të tanishëm të Ligës së Parë, mitrovicasit janë fitues të Ligës së Parë dhe rikthim në Superligë në edicionin 2009-2010, fitues i Kupës dhe Superkupës së Kosovës, edicioni 2011-2012, kampion dhe fitues i Superkupës, edicioni 2016-2017. Mitrovicasit shënuan histori në sezonin 2017/2018 pasi që ishin ekipi i parë pjesëmarrës në garat evropiane pas pranimit të Kosovës në UEFA dhe FIFA./UBTNews/

Exit mobile version