Në tregun e brendshëm të këmbimit valutor në Shqipëri, të martën monedha europiane fitoi pikë kundrejt lekut, ndërsa dollari amerikan u nënçmua me 0.14 lekë ose 15 cent. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, valuta euro është ngjitur me 0.03 lekë ose 0.04 në kuotën e këmbimit me 106.42 lekë, pas një rënie që shënoi disa ditë radhazi në tregun vendas, ndryshe nga monedha amerikane që ra në vlerën e 99.61 lekëve.
Aktorë të këtij tregu shprehen se, ndryshimet në vlerat e këmbimit valutor janë të pritshme dhe brenda parashikime, duke lënë të nënkuptohet se, tregu valutor orientohet nga ecuria në bursat ndërkombëtare por dhe kërkesë-oferta në tregun vendas.
Një euro e fortë penalizon klientët e bankave që kanë marrë kredi në këtë monedhë. Gjithashtu i bën më të shtrenjta importet, si dhe rrit kostot e qeverisë për pagesën e borxhit të jashtëm. Avantazh kanë eksportuesit, norma e fitimit e të cilëve do të rritet, transmeton ATSh.
Forcimi i euros përkon me fundin e sezonit turistik.