Prokurorët grekë akuzuan të enjten tre zyrtarë të tjerë hekurudhor në lidhje me aksidentin më të rëndë të trenit në vend – aksident ky që vrau 57 persona, ndërsa kryeministri u zotua për “transparencë absolute” në hetimin e tragjedisë.
Zemërimi i publikut është rritur që nga përplasja e trenave ballë për ballë më 28 shkurt në Greqinë qendrore, me dhjetëra mijëra demonstrues në mbarë vendin të mërkurën.
Shefi i stacionit në detyrë në momentin e aksidentit, i cili dyshohet se i drejtoi gabimisht të dy trenat në të njëjtën linjë, u akuzua disa ditë më parë.
Të enjten, një mbikëqyrës hekurudhor përgjegjës për rotacionet e stafit — i cili dyshohet se e vendosi drejtuesin e stacionit të papërvojë në detyrë natën gjatë një periudhe pushimi të ngarkuar — u akuzua, tha një burim gjyqësor për AFP.
Dy drejtues të tjerë stacioni, të cilët dyshohet se u larguan nga puna para kohe, u akuzuan gjithashtu. Të tre përballen me akuza për vrasje nga pakujdesia, duke shkaktuar lëndime trupore dhe ndërprerje të transportit dhe mund të përballen me burgim të përjetshëm nëse shpallen fajtorë.