UBT News

Tre vjet më pas, kurdët e Sirisë paralajmërojnë botën se ‘po lejojnë ISIS-in të rindërtohet’

Forcat kurde siriane që drejtuan betejën për të shtypur “kalifatin” e vetëshpallur të ashtuquajturit Shteti Islamik në 2019 paralajmëruan të mërkurën se mungesa e mbështetjes nga bota, rrezikonte të lejonte një rilindje xhihadiste.

IS – i cili dikur administronte miliona njerëz nëpër zona të Sirisë dhe Irakut – u shpall zyrtarisht i mundur më 23 mars të vitit 2019.

Forcat Demokratike Siriane (SDF) të mbështetura nga SHBA-të, të cilat veprojnë si ushtria e administratës autonome kurde, udhëhoqën betejën që shpërtheu fshatin Baghouz ku IS-i bëri qëndrimin e tij të fundit.

Komanda qendrore e SDF-së paralajmëroi në një deklaratë se vendet që ofruan ndihmë për operacionin ushtarak në atë kohë, nuk duhet t’ua kthejnë shpinën rajonit tani.

“Mungesa e një plani ndërkombëtar të qartë dhe gjithëpërfshirës afatgjatë rrit humbjet njerëzore dhe materiale dhe i lejon ISIS-it të forcojë organizatën e tij”, thanë ata.

IS nuk ka pasur pozicione fikse në Irak apo Siri që nga marsi i vitit 2019, por mbetjet e grupit kanë vazhduar të kryejnë sulme të ndryshme.

SDF tha se një sulm i madh në një burg në Hasakeh në janar ishte dëshmi se IS po kërkonte të zgjeronte aftësitë e tij operacionale.

Betejat e shkaktuara nga thyerja e burgut Ghwayran lanë të paktën 370 njerëz të vdekur.

Sipas grupit të monitorimit me bazë në Britani, Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut, një numër i konsiderueshëm luftëtarësh të IS-it u liruan.

Forcat kurde fajësuan gjithashtu vendet që hezitojnë të riatdhesojnë qytetarët e tyre të mbajtur në kampe dhe burgje për anëtarë të dyshuar të IS dhe të afërmit e tyre.

Administrata autonome është ankuar vazhdimisht se nuk kishte burime për të arrestuar mijëra të dyshuar që vinin nga territori i IS në javët e fundit të kalifatit, e lëre më për të organizuar gjyqe./UBTNews/

Exit mobile version