– Gjykata Themelore në Ferizaj, ka shpall aktgjykim dënues ndaj të pandehurit M.G. shtetas i Republikës së Kosovës, i akuzuar sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Ferizaj për shkak të veprës penale vrasja në tentativë nga neni 172 lidhur me nenin 28 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Kryetari i Trupit Gjykues i Departamentit për Krime të Rënda – Sahit Krasniqi, pas mbajtës së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të të gjitha provave dhe pranimit të fajësisë nga i pandehuri, të njëjtin për veprën penale si në aktakuzë e shpalli fajtor dhe i shqiptoi dënim burgimi në kohëzgjatje prej tre (3) vjet.
I pandehuri akuzohet se më 3 korrik 2020 , në Ferizaj, me dashje ka tentuar ta privoj nga jeta të dëmtuarin V.R., në atë mënyrë që ka shkuar në lokalin në të cilën i dëmtuari merret me prodhimin e akullit, kinse për të blerë akull , mirëpo për shkak të një mosmarrëveshje, derisa i dëmtuari ishte duke mbushur thasët me akull, i pandehuri ka nxjerrë thikën dhe e ka goditur në pjesën e kraharorit, fytyrës mbrapa kokës dhe në dorën e majtë duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore, si dhe thyerje e brinjës së parë dhe të dytë të majtë.
Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej pesëmbëdhjetë (15) ditëve nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar. Ankesa i drejtohet Gjykatës së Apelit në Prishtinë, përmes Gjykatës Themelore të Ferizajt./UBTNEWS