UBT News

Tre të ndaluar për rrëzimin e vinçit në Prishtinë, një punëtor humbi jetën

Tre persona janë ndaluar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë lidhur me rrëzimin e vinçit në një vendpunishte në Lagjen e Spitalit në Prishtinë, ku humbi jetën një punëtor 26-vjeçar, ndërsa një tjetër mbeti i lënduar.

Sipas Prokurorisë, të ndaluarit janë A.Sh., i dyshuar për veprën penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”, si dhe B.S. dhe E.E., të dyshuar për veprën penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”.

B.S. dyshohet në cilësinë e personit përgjegjës të kompanisë ndërtuese, ndërsa E.E. si përfaqësues i kompanisë investuese të projektit.

Prokuroria ka bërë të ditur se për aksidentin është njoftuar më 28 korrik rreth orës 15:00. Në vendin e ngjarjes kanë dalë prokurori kujdestar, Policia e Kosovës, Njësia Rajonale e Hetimeve, Inspektorati i Punës, si dhe ekspertë të sigurisë në punë dhe inxhinierisë mekanike.

Gjatë hetimeve janë siguruar prova materiale, janë sekuestruar pamje nga kamerat e sigurisë dhe është kryer ekzaminimi i vendit të ngjarjes nga njësia e forenzikës.

Si pasojë e aksidentit, jetën ka humbur E.Sh., ndërsa një person tjetër ka pësuar lëndime të rënda dhe po vazhdon trajtimin mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Prokuroria ka bërë të ditur se hetimet do të vazhdojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit, ndërsa brenda afatit ligjor do të shqyrtohet edhe kërkesa për caktimin e masave të sigurisë ndaj të dyshuarve./A.K/

Exit mobile version