Sipas raportit të Policisë së Kosovës, brenda 24 orëve të fundit janë regjistruar katër raste të dhunës në familje. Ngjarjet kanë ndodhur në Fushë-Kosovë, Pejë, Malishevë dhe Gjakovë.
Në Fushë-Kosovë, një grua ka raportuar se është kanosur nga bashkëshorti i saj. Lidhur me rastin, palët janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit janë liruar, ndërsa procesi po vazhdon në procedurë të rregullt hetimore.
Ndërkohë, në Pejë është arrestuar një grua, pasi e njëjta dyshohet se ka ushtruar dhunë psikike ndaj një gruaje tjetër. Pas intervistimit, palët janë liruar dhe rasti po trajtohet në procedurë të rregullt.
“Është arrestuar e dyshuara femër kosovare pasi që dyshohet se kishte ushtruar dhunë psikike ndaj viktimës femër kosovare. Me vendim të prokurorit pas intervistimit palët janë liruar dhe rasti shkon në procedurë të rregullt”, thuhet në raportin e Policisë.
Dy rastet e tjera të dhunës në familje janë raportuar nga Rajoni i Gjakovës. Në Malishevë është arrestuar një burrë nën dyshimin se, pas një mosmarrëveshjeje, ka sulmuar fizikisht dy persona (një burrë dhe një grua). Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.
Gjithashtu, edhe në Gjakovë është arrestuar një burrë pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj një gruaje. Viktima ka pranuar trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari, me vendim të prokurorit, është dërguar në mbajtje.
