Tre raste të ndryshme që lidhen me armë zjarri janë raportuar më 10 shtator në Prishtinë, sipas raportit të Policisë së Kosovës.
Në një rast, pas informatave të pranuara, policia ka kontrolluar tri lokacione që u përkasin tre të dyshuarve meshkuj kosovarë. Gjatë kontrolleve janë gjetur dhe konfiskuar një armë zjarri, municion i kalibrave të ndryshëm dhe një sasi e substancës së dyshuar narkotike. Me vendim të prokurorit, dy të dyshuar janë arrestuar dhe dërguar në mbajtje.
Ndërkaq, në rrugën “Muharrem Fejza”, pas disa të shtënave me armë zjarri, policia ka gjetur dhe konfiskuar dy gëzhoja, ndërsa nga një i dyshuar është konfiskuar një pistoletë. Gjatë përleshjes fizike, lëndime trupore ka pësuar një person. I dyshuari është arrestuar dhe dërguar në mbajtje me vendim të prokurorit.
Në rrugën “Qazim Pllana”, një i dyshuar dyshohet se ka shtënë me armë zjarri në ajër nga një motoçikletë në lëvizje dhe më pas është larguar në drejtim të panjohur. Në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe konfiskuar katër gëzhoja, ndërsa rasti është duke u hetuar./A.K/
