Policia e Kosovës ka arrestuar tre persona në Fushë-Kosovë, të dyshuar për kryerjen e së paku tetë rasteve të vjedhjeve të rënda në banesa gjatë muajve tetor dhe nëntor 2026.
Sipas Policisë, A.B., F.H. dhe M.K. janë arrestuar pas një hetimi dymujor. Operacioni policor është zhvilluar më 18 nëntor, ndërsa dëmi fillestar material nga vjedhjet vlerësohet të jetë mbi 60 mijë euro.
Gjatë kontrolleve në katër lokacione, policia ka sekuestruar stoli ari, para të gatshme, një pistoletë, një veturë që dyshohet se është përdorur në kryerjen e veprave penale, dy telefona dhe një sasi të dyshuar të marihuanës.
Hetimet e mëtejshme kanë çuar policinë edhe te një argjendari në lagjen “Dardania” në Prishtinë, ku dyshohet se janë shitur stolitë e vjedhura. Pronari i argjendarisë është shoqëruar në stacion policor. Ndërkaq, një sasi tjetër ari është lokalizuar dhe sekuestruar në Prizren.
Policia ka bërë të ditur se ndaj të dyshuarve janë iniciuar raste për “Vjedhje të rëndë”, “Posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Posedim të paautorizuar të narkotikëve”.
Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, tre të arrestuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë./A.K/
