UBT News

Tre milionë euro shtesa për punëtorët e arsimit

Qeveria në detyrë e Kosovës ka ndarë mjetet për disa kategori nga programi për Rimëkëmbje Ekonomike.

Ministrja në detyrë e Financave, Hykmete Bajrami ka treguar se ndarja e mjeteve është për punëtorët arsimorë, shëndetësorë, zjarrfikësit dhe ata të policisë.

“Ju paraqes propozim-vendimin për ndarjen e mjeteve për disa organizata buxhetore për të ndarë shtesa për muajin shkurt dhe mars për disa kategori që nuk kanë qenë të përfshira në vendimet paraprake por që janë drejtpërdrejtë të ekspozuara rrezikut në menaxhimin me pandeminë. Ndahen tre milionë euro nga 5 milionëshi që e kemi ndarë nga fondi për rimëkëmbjen ekonomike tek Ministria e Arsimit për mbarëvajtjen e vitit shkollor, kjo është shtesa e parë e cila do të paguhet në muajin shkurt. Kjo përfshinë të gjithë personelin që janë të angazhuar në arsimin primar dhe sekondar”, ka thënë Bajrami.

Ajo ka bërë të ditur po ashtu se për muajt shkurt dhe mars edhe për zyrtarët policorë do të ndahen 700 mijë euro, për zjarrfikësitë 180 mijë euro, për punëtorët në qendra sociale 78 mijë euro, për profesionistët shëndetësorë 100 mijë euro, për punëtorët teknik për shërbimin e pastrimit dhe sigurimin e institucioneve shëndetësore 160 mijë euro.

Sipas saj, kategoritë e tjera që janë të angazhuar ne menaxhimin e pandemisë e që nuk janë pjesë e këtij vendimi, do të trajtohen me vendime të veçanta.

Exit mobile version