Vitin e kaluar me pandeminë COVID-19 fëmijët nuk janë parë të rrezikuar apo si përhapës të virusit. Fokusi ishte në mbrojtjen e të moshuarve.
Por varianti i ri Delta e ka ndryshuar një situatë të tillë, pasi që fëmijët në të gjithë botën, edhe sipas mjekëve në vijë të parë të frontit, po infektohen nga ky variant.
Shumë prindër e edhe shkollat tani shqetësim kanë mënyrën se si t’i mbrojnë fëmijët nga Delta, pasi që pastaj ata mund të jenë edhe bartës virusi deri te familjet e tyre.
Ekzistojnë tri forma për t’u zbatuar, të cilat besohet se janë të bazuara në prova, në mënyrë që të ndihmojë në mbrojtjen e fëmijëve nga varianti i ri.
Maska është forma e parë. Në disa shtete në Australi mjekët iu kanë rekomanduar prindërve që fëmijët mbi moshën 2-vjeçare të mbajnë maska pasi që, sipas tyre, janë adekuate për të mos penguar frymëmarrjen, derisa janë efektive për mbrojtje nga Delta.
Prezenca në shkolla është një shqetësim tjetër, por për të cilën është menduar ventilimi si diçka e rëndësishme.
Dalja jashtë sa më shpesh, hapja e dyerve dhe dritareve e kontrollimi i ajrit janë disa nga praktikat që duhen bërë rregull për të evituar rrezikun e infektimit të fëmijëve.
Hapi i tretë e më i rëndësishmi është vaksinimi i fëmijëve. Në SHBA ka nisur praktika e vaksinimit të fëmijëve nga mosha 12-15 vjeç.
Efekti i vaksinave është i dukshëm te të gjitha moshat, andaj edhe e njëjta gjë besohet të jetë me vaksinën kundër COVID-19 për fëmijët./KOHA