Tre autobusë janë shpërthyer në Bat Yam, një qytet në jug të Tel Avivit, në një incident që policia izraelite e ka cilësuar si një “sulm të dyshuar terrorist”. Sipas autoriteteve, pajisjet shpërthyese në dy autobusë të tjerë nuk arritën të shpërthyen.
Forcat e mëdha policore janë dërguar në vendngjarje dhe po kërkojnë për dyshuarit, ndërkohë që ministri i Transportit, Miri Regev, ka urdhëruar pezullimin e të gjitha shërbimeve të transportit publik, përfshirë autobusët, trenat dhe trenat e lehtë, për të realizuar kontrolle të mundshme për pajisje shpërthyese.
Në mes të zhvillimeve, Kryeministri Benjamin Netanyahu ka urdhëruar ushtrinë izraelite të nisë një “operacion intensiv kundër qendrave të terrorizmit” në Bregun Perëndimor, sipas zyrës së tij.
Deri tani, nuk raportohet për viktima. Pamjet e publikuara në mediat sociale treguan një autobus të djegur në një parking, me një shtëllungë tymi që ngrihej nga shpërthimi.
Zëdhënësi i policisë, Aryeh Doron, ka njoftuar se operacionet e pastrimit janë ende në zhvillim e sipër dhe se autoritetet po kontrollojnë zonën për të gjetur më shumë bomba të mundshme. Ai ka apeluar për vigjilencë dhe ka paralajmëruar qytetarët të mos prekin asnjë objekt të dyshuar.
Një nga pajisjet që nuk shpërtheu, me peshë 5 kg, përmbante një mesazh që thoshte “Hakmarrja nga Tulkarem”, duke i referuar një operacioni të fundit ushtarak izraelit në Bregun Perëndimor. Pas ngjarjes, Netanyahu ka urdhëruar forcimin e operacioneve dhe aktiviteteve parandalues ndaj sulmeve të mundshme në qytetet izraelite.
Gjithashtu, ministrja e Transportit, Miri Regev, ka ndërprerë udhëtimin e saj në Marok dhe do të kthehet menjëherë në Izrael për të marrë pjesë në koordinimin e përgjigjes ndaj këtij incidenti.