UBT News

Trazira në Iran: Çfarë po ndodh me internetin?

Aktivistët në Iran janë të shqetësuar rreth ndërprerjes së internetit dhe banorët spo arrijnë të kyçen në rrjete sociale.

Zemërimi u përhap gjerësisht edhe në rrjete sociale pas një jave protestash pas vdekjes së një gruaje kurde në paraburgim.

Grupi i monitorimit të internetit, NetBlocks tha se Instagrami dhe WhatsAppi – dy nga mjetet kryesore të komunikimit që lejohen në Iran – janë kufizuar. WhatsApp tha se është duke punuar për t’ua mundësuar iranianëve qasjen në internet.

Dy aplikacionet në pronësi të gjigantit Meta kanë miliona përdorues iranianë dhe po bëhen gjithnjë e më të njohura pasi autoritetet bllokuan platformat tjera vitet e fundit, përfshirë Facebookun dhe Twitterin. Edhe Telegrami, YouTube dhe TikTok janë mbyllur.

Ndërprerjet e fundit në internet erdhën pas protestave mbarëkombëtare pas vdekjes së Aminit në paraburgim, pasi u arrestua nga policia e moralit për “mosrespektimin e rregullave të hixhabit”.

NetBlocks raportoi se interneti u rilidh pjesërisht mbrëmjen e të enjtes së kaluar, por të premten sërish u ndërpre madje në shkallë vendi.

“Iranianët janë duke u shkëputur nga aplikacionet dhe shërbimet në internet”, shkroi në Twitter shefi i Instagramit, Adam Mosseri, duke shtuar se shpreson se këto shërbime do të kthehen shpejt.

Por të tjerë akuzuan gjigantin Meta si bashkëpunëtor në shkëputjen e përdoruesve. Meta ka një ekip mbikëqyrës që e flasin persishten dhe që heqin përmbajtjet që janë në kundërshtim me rregullat e tyre.

Pra çfarë po ndodh në të vërtetë?

Ndërprerjet e internetit vijnë kryesisht nga operatori më i madh i telefonisë celulare iranian që është jashtë linje. Kompania e Komunikimeve Mobile të Iranit ka më shumë se 60 milionë klientë. Ministria iraniane e komunikimeve tha se ndërprerja erdhi për shkaqe sigurie.

Por Isik Mater nga NetBlocks tha për BBC: “Interneti është një nga mjetet më të mëdha që autoritetet iraniane kanë në duart e tyre kur shpërthejnë trazirat në rrugë”.

Ajo thotë se për shkak që nuk ka asnjë rrjet transmetimi privat në Iran, interneti është “i vetmi vend” ku protestuesit mund të ngrenë zërin e tyre.

Presidenti iranian, Ebrahim Raisi ka thënë se protestat lejohen në vend, por “trazirat” nuk do të tolerohen./UBTNews/

Exit mobile version