UBT News

Transportonte marihuanë drejt Kosovës, kërkohet paraburgim për shtetasin e Shqipërisë

Prokuroria Themelore në Gjakovë ka njoftuar se ka paraqitur kërkesë në Gjykatën Themelore në Gjakovë për caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh ndaj të dyshuarit me inicialet G.B., shtetas i Republikës së Shqipërisë, nën dyshimin për veprën penale të shitblerjes së paautorizuar të narkotikëve të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, më 08.09.2025, rreth orës 17:55, në fshatin Ponoshec, Komuna e Gjakovës, gjatë një kontrolli rutinë të realizuar nga patrulla e policisë kufitare e SPMK–Ponoshec, është ndalur një veturë me targa të huaja, e cila drejtohej nga i dyshuari G.B., i cili kishte hyrë në Kosovë nga Shqipëria.

Gjatë komunikimit me të dyshuarin, policia ka ndier një aromë të dyshimtë për substanca narkotike.

Pas pyetjes nëse posedonte ndonjë send të jashtëligjshëm, i dyshuari kishte mohuar, por me asistimin e njësisë K9 dhe gjatë kontrollit të detajuar të automjetit, janë zbuluar dy qese me narkotik të dyshuar të llojit marihuanë, të fshehura në bagazh, me peshë prej 1 kg e 048 gram, një qese e vogël me peshë 1.77 gram, e fshehur nën plastikën e fshesave të automjetit, si dhe automjeti, 246 euro dhe 5,000 lekë shqiptare janë sekuestruar nga autoritetet policore si prova materiale.

Prokuroria ka bërë të ditur se ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri ka kryer veprën penale të blerjes, posedimit, shpërndarjes dhe shitjes së paautorizuar të narkotikëve dhe për këtë arsye ka kërkuar që ndaj tij të caktohet masa e paraburgimit për shkak të rrezikut të ikjes dhe mundësisë së përsëritjes së veprës penale.

I dyshuari ndodhet aktualisht në ndalim 48-orësh, me vendim të Prokurorit të Shtetit, dhe do të dalë para gjykatës për shqyrtimin e kërkesës për paraburgim./D.B/KP

Exit mobile version