Nivelet e ujit në lumin Rhine mund të arrijnë një pikë kritike të ulët në ditët në vijim, thanë zyrtarët gjermanë, duke e bërë gjithnjë e më të vështirë transportin e mallrave – përfshirë qymyrin dhe benzinën – pasi thatësira dhe kriza energjetike po mbërthejnë aktualisht Evropën.
Sipas Capital Economics, transportimi i mallrave me rrugë ujore të brendshme është më i rëndësishëm në Gjermani sesa në shumë vende të tjera të Evropës Perëndimore.
Autoritetet parashikojnë se nivelet e ujit në Kaub do të ulen nën 40 centimetra herët të premten dhe do të vazhdojnë të bien gjatë fundjavës.
“Situata është mjaft dramatike, por ende jo aq dramatike sa në vitin 2018”, tha Christian Lorenz, një zëdhënës i kompanisë gjermane të logjistikës HGK.
Nga Franca dhe Italia, Evropa po lufton me periudhat e thata, tkurrjen e rrugëve ujore dhe valët e të nxehtit që po bëhen më të rënda dhe të shpeshta për shkak të ndryshimeve klimatike. Nivelet e ulëta të ujit janë një tjetër goditje për industrinë në Gjermani, e cila po lufton me mungesën e gazit natyror që ka çuar në rritje të çmimeve.
Për shkak të mungesës së ujit, anijet që sjellin kripë në lumin Rhine nga Heilbronn në Këln që normalisht do të transportonin 2,200 tonë metrikë ngarkesë, janë në gjendje të transportojnë vetëm rreth 600 tonë, tha ai.
Autoritetet po ndërmarrin hapa për të zhvendosur më shumë trafik mallrash në rrjetin hekurudhor dhe, nëse është e nevojshme, t’i japin përparësi, tha Alexandrin, zëdhënësi i Ministrisë së Transportit./UBTNews/