Autoritetet policore janë duke zhvilluar një operacion me urdhër të Prokurorisë Themelore Publike të Koçanit lidhur me procedurën për zjarrin që shpërtheu në lokalin e natës në Koçan, ku humbën jetën 59 persona.
Sipas informacioneve të para, autoritetet policore kanë ndaluar kryetarin e dorëhequr të Komunës së Koçanit, Ljupço Papazov, si dhe dy ish-kryetarët e kësaj komune, Nikollço Iliev dhe Ratko Dimitrovski.
Prokuroria Publike njoftoi se operacioni për ndalimin e personave të dyshuar për përfshirje në rastin tragjik do të vazhdojë gjatë gjithë natës.
Nga atje njoftuan se kreu i komunës në dorëheqje, Papazov, është marrë në pyetje më 17 mars dhe ka dhënë disa sqarime dhe informacione.
“Një deklaratë e tillë po krahasohet me materialin dëshmues dhe kompetencat e komunës, pas së cilës do të vendoset për statusin e tij të mëtutjeshëm në procedurë”, theksuan nga Prokuroria Publike.
Dimitrovski ishte kryetar i Komunës së Koçanit në vitet 2009-2017, Iliev në vitet 2017-2021, pas çka këtë post e ka mbajtur Papazov deri në njoftimin e tij për dorëheqje.
Deri më tani, sipas autoriteteve, duke përjashtuar tre të fundit, hetimet e nisura të organeve gjyqësore përfshijnë 26 persona.
Në orët e para të 16 marsit, në një lokal nate në Koçan në një ngjarje argëtimi nga një grup muzikor shpërtheu një zjarr nga shkëndijat e mjeteve piroteknike, duke çuar në vdekjen e 59 personave dhe rreth 178 të tjerë mbetën të plagosur.
Sipas autoriteteve të vendit, lokali që u përfshi nga zjarri së fundmi ka vepruar me një “licencë të falsifikuar”, megjithëse edhe më herët me vite ka vepruar pa i plotësuar dhe pa i zbatuar kushtet dhe rregulloret e kërkuara sipas standardeve për klub nate.
Duke filluar nga e hëna, Maqedonia e Veriut ka shpallur shtatë ditë zie për tragjedinë në Koçan.