UBT News

Tragjedia me 59 viktima në RMV, jepet masa e sigurisë për ish-ministrin e Ekonomisë Kreshnik Bekteshi

Ish-ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi do të përfundojë në paraburgim për 48 orët e ardhshme, njëjtë sikurse ish-drejtori i Inspektoratit të Tregut, pasi gjykata ka pranuar kërkesën e prokurorisë.

Gjykata e Koçanit e ka pranuar kërkesën e prokurorisë që Bekteshi të dërgohet në “paraburgim të shkurtër”, bashkë me shtatë të dyshuar tjerë, ndërsa po pritet të caktohet se në cilin burg do të dërgohet i njëjti.

48 orë paraburgim i është dhënë edhe Bekim Maksutit, ish-drejtorit të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim.

Kujtojmë se klubi i natës ku ndodhi tragjedia në Maqedoninë e Veriut, kishte përdorur një licencë e falsifikuar. Sipas kryeministrit maqedonas Hristijan Mickoski licenca ishte lëshuar vitin e kaluar nga zyrtarë të ministrisë së Ekonomisë.

Shumë pyetje duhen të marrin përgjigje,” tha Mickoski, i cili premtoi llogaridhënie në të gjitha nivelet.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut tha: “Për momentin kemi informacion se në momentin e fatkeqësisë tragjike ka pasur një licencë të falsifikuar, të lëshuar në mars 2024 në këmbim të ryshfetit. Bëhet fjalë për një dokument pune për një kabare, i lëshuar në mënyrë të paligjshme, me vulën origjinale të Ministrisë së Ekonomisë dhe nënshkrimin e zyrtarëve të atëhershëm të kësaj ministrie. Ka shumë pyetje, të cilave hetimi do t’iu japë përgjigje”, tha Hristijan Mickoski.

Exit mobile version