Një grua ka humbur jetën pasi u sulmua nga vëllai i saj në fshatin Poterq të Klinës.
Sipas Policisë, ngjarja ka ndodhur më 6 shtator, kur i dyshuari, i cili dyshohet se ka probleme të shëndetit mendor, fillimisht i ka vënë flakën krevatit ku ndodhej motra e tij dhe më pas ka sulmuar nënën e tij me një mjet të fortë.
Të dyja viktimat kanë pësuar lëndime të rënda. Ato fillimisht janë dërguar në Spitalin Rajonal të Pejës, ndërsa më pas janë transferuar në QKUK në Prishtinë.
Policia ka njoftuar se më 7 shtator motra e të dyshuarit ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra nga zjarri.
I dyshuari është arrestuar dhe, me vendim të prokurorit, i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh. Për shkak të gjendjes së tij të rënduar psikike, ai është vendosur në repartin e psikiatrisë në Spitalin Rajonal të Pejës, nën përkujdesjen e personelit mjekësor dhe mbikëqyrjen e Policisë./A.K/
