Një ngjarje tragjike ka tronditur botën e sportit pasi sportisti serb, Lazar Dukiq, humbi jetën gjatë një gare CrossFit në Teksas, SHBA. Dukiq u mbyt pak para përfundimit të garës në Marine Creek Lake, në një incident që u kap në video nga spektatorët e pranishëm.
Në pamjet e regjistruara, Dukiq shihet duke luftuar për të qëndruar mbi ujë, ndërsa afrohej drejt vijës së finishit. Megjithatë, përpjekjet e tij për të mbijetuar nuk rezultuan të suksesshme. Trupi i tij u gjet një orë pas zhdukjes, pasi zhytësit arritën në zonën e incidentit.
Gara CrossFit, e cila për herë të parë përfshinte notin si eventin final, ka ngjallur kritika të ashpra, pasi shumë pjesëmarrës dhe spektatorë kanë vënë në dukje rrezikun e shtuar për sportistët në ujë. Pamjet e publikuara tregojnë një spektator që u hodh në ujë për të ndihmuar Dukiqin, pasi duket se shpëtimtarët e ngjarjes nuk e vunë re situatën e tij të vështirë.
Kreu i organizatorëve të garës, në një konferencë për media, shprehu keqardhje të thellë për humbjen e Dukiqit. Ai konfirmoi se kishte personel sigurie në vendngjarje dhe njoftoi se është duke bashkëpunuar me autoritetet lokale në Teksas për të hetuar shkaqet e kësaj tragjedie.
Lazar Dukiq, sipas biografisë së tij të publikuar në faqen e internetit të eventit, ishte një nga sportistët kryesorë në Serbi, duke u renditur i treti në vend dhe i 88-ti në nivel global. Vdekja e tij ka tronditur komunitetin sportiv dhe ka ngritur pyetje serioze mbi masat e sigurisë në gara të tilla ekstreme./UBTNews/