Një 41-vjeçar nga Kosova ka humbur jetën në mënyrë tragjike pasi u sulmua nga një person që po tentonte të vidhte pako në hollin e një ndërtese në Bruklin.
Bëhet e ditur se sipas Policisë, viktima e identifikuar nga familjarët si 41-vjeçari B.H, u gjet i plagosur rëndë në kokë.
Ai u dërgua me urgjencë në Spitalin e Qarkut Kings, ku ndodhej në gjendje kritike dhe më pas ndërroi jetë si pasojë e lëndimeve.
B.H punonte si mbikëqyrës i një pallati apartamentesh në Bruklin. Familja u trondit që ai i cili ishte i respektuar në ndërtesë dhe në lagje, u vra ndërsa bënte punën e tij.
Ngjarja ka ndodhur të mërkurën në mëngjes, pak pas orës 08:00, në një ndërtesë në Ocean Avenue, zona e Flatbush.
Policia njoftoi se një person është marrë në pyetje, por deri tani nuk janë ngritur akuza. Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes vazhdojnë./S.K/KP/NBC News NY/
