Punëtorët e transportit publik dhe privat edhe sot kanë protestuar për disa orë para objektit të Komunës së Prishtinës dhe Qeverisë së Kosovës. Ata kanë deklaruar se sot është afati i fundit për reflektim, në të kundërtën nga nesër i gjithë segmenti rrugor do të bllokohet me të gjithë autobusët e trafikut urban nga mëngjesi deri në mbrëmje.
Kryetari i Sindikatës së Trafikut Urban, Ilmi Gashi, ka shprehur shqetësimin se komuna dhe ministria po shtyjnë përgjegjësitë për alokimin e fondeve, duke theksuar se qytetarët po vuajnë për shkak të vonesës në pagesën e borxheve ndaj operatorëve të trafikut urban.
Ai ka kërkuar që kjo situatë të zgjidhet menjëherë, pasi vonesat e mëtejshme mund të përkeqësojnë situatën.
“Komuna tash sapo doli me një njoftim që parat nuk kanë ardh dhe ne kemi mbetur andej dhe këtej top i vërtet i pingpongut që po na nxjerrin. Në këto temperatura të ftohta për hirë të qytetarëve që po vuajnë për transporte që i kërkojmë mëshirë qytetarëve për hirë të atyre qytetarëve, këta duhet të bëjnë sot reflektimin nëse ndodh një gjë e tillë ne do t’i kthehemi punës së rregullt në momentin që alokohen mjetet për t’i shlyer borxhet”, tha ai.
Ndërkohë, Gashi më i ashpër ka qen në fund të protestës së sotme.
“Sot është afati i fundit për reflektim në të kundërtën nga nesër i gjithë segmenti rrugor do të bllokohet me të gjithë autobusët me kapacitetet që kem të trafikut urban dhe që prej mëngjesit sindikata do të organizoj protestën që në mëngjes-darkë dhe këtu nuk do ta kenë lëvizjen e lirë të funksionoj si komuna, si qeveria.”, ka thënë ai.
Qytetari Bush Vitija e shprehi shqetësimin për situatën e vështirë të transportit, ku disa qytetarë, veçanërisht ata në raste sociale, po vuajnë për shkak të mungesës së mundësive për transport.
“Shiko të vështirë e kemi shumë sepse dikush nuk ka mundësi, ne që i kemi veturat i kemi mjetet udhëtojmë por dikush që është më raste sociale është shumë problem dhe taksistit si po dëgjojmë nga aty deri këtu nga 4-5 euro e kanë gjetur mundësin po e shfrytëzojnë rastin, keq për qytetarët. Transporti është mungesë shumë mungesa e transportit po bllokohet komunikacioni”, tha ai.
Naim Krasniqi u shpreh për KosovaPress, se shpreh shqetësimin e tij për situatën e rëndë që po kalojnë qytetarët, duke theksuar se mungesa e transportit dhe vonesat në pagesat e rrogave (7 muaj pa pagesë) po e bëjnë jetesën të padurueshme.
“Pra atëherë e imja është që të tregoj që kjo është një fatkeqësi shumë e rëndë, për gjynah ky popull, kemi vuajtur në luftë e dimë se çfarë kemi vuajtur e sot për t’u bërë kjo mos të ketë autobusë njerëzit që kanë nevojë që çdo person këtu që është që udhëton ata kanë nevojë të udhëtojnë, sot është bërë një bllokadë nga asgjë, këtu është faktor njeriu. E kushtueshme është për ata që nuk kanë marrë rroga që 7 muaj, a ka Zot ai ministër i financave, a ka fëmijë ai, a ka grua, a ka familje ai, kur ua bllokon njerëzve që 7 muaj ata mbajnë familje ku ka ma krizë ku ka më çmimet janë shkuar për 4-5 vite 400 për qind.”, u shpreh ai.
Situata e rënduar e transportit dhe vonesat në pagesat e rrogave janë pasojë e një mungese koordinimi ndërmjet institucioneve përgjegjëse. Kjo ka krijuar një klimë të pasigurisë dhe tensioneve sociale, duke e bërë jetën e qytetarëve më të vështirë, veçanërisht atyre që ndodhen në kushte të vështira ekonomike./KP
