UBT News

Totaj i kundërpërgjigjet Kurtit pasi tha se të gjitha partitë janë bërë bashkë kundër VV-së

Kryetari i zgjedhur i Prizrenit Shaqir Totaj, i është kundërpërgjigjur kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, se të gjithë partitë janë bërë bashkë kundër Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet lokale.

Totaj tha se askush nuk është kundër askujt. Ai tha se qëllimi se pse janë bërë bashkë në Prizren ishte nevoja për ndryshim.

“Unë e kam theksuar edhe më herët që Prizreni e ka identifikuar nevojën për ndryshime. Prandaj në raundin e parë 60 përqind e votuesve kanë votuar për ndryshime, kurse këtë deklaratën e kryeministrit Kurti e kisha riformuluar. “Askush nuk është kundër askujt”. Nëse ne jemi bërë bashkë, jemi bërë për interes të Prizrenit dhe nuk jemi kundër askujt as kundër Haskukës dhe aq më pak kundër Kurtit. Objektivi ynë është ngritja e cilësisë së jetës në Prizren dhe jo të bëhemi kundër dikujt”, deklaroi ai.

Shaqir Totaj deklaroi se përveç koalicioneve zyrtare që PDK ka pasur me AAK-në dhe Nismën, atë e ka mbështetur edhe elektorati i LDK-së.

“Ne do të kemi këtu qasje konstruktive ndaj Asamblesë dhe ndaj asamblistëve të votuar. Për momentin Partia Demokratike e Kosovës i ka 11 asamblistë dhe koalicionet që ne veç i kemi të nënshkruara para balotazhit me AAK-në dhe ne Nismën, aty janë pesë asamblistë që në total bëjnë 16 asamblistë. Mirëpo ne planifikojmë të zhvillojmë bisedime edhe me Lidhjen Demokratike të Kosovës, sepse gjatë fushatës edhe me nuk kemi pasur koalicion elektorati i tyre na ka përkrahur me votë. Pas bisedimeve me lidershipin e partisë nuk përjashtohet mundësia që të kemi edhe koalicion në mënyrë që të operojmë më lehtë në Asamble, sepse shumë ide dhe shumë projekte duhet të votohen aty”, ka thënë ai në Klan Kosova.

Ai për kryetar të Prizrenit ka garuar kundër Mytaher Haskukës, të Lëvizjes Vetëvendosje duke arritur të triumfojë në raundin e dytë.

Exit mobile version