Topi me të cilin Diego Maradona shënoi golin e famshëm “Dora e Zotit” kundër Anglisë në Kupën e Botës 1986 është shitur në ankand për 3.35 milionë dollarë.
Shitja u realizua nga shtëpia e ankandeve Heritage Auctions në Shtetet e Bashkuara, ndërsa çmimi përfundimtar ishte rreth 6.7 milionë dollarë më i ulët se vlerësimi fillestar prej 10 milionë dollarësh.
Topi Adidas Azteca kishte një çmim fillestar prej 2.5 milionë dollarësh.
Maradona e përdori topin në çerekfinalen e 22 qershorit 1986, në ndeshjen mes Argjentinës dhe Anglisë në stadiumin “Azteca” të Meksikës. Ai shënoi dy gola në fitoren 2-1 të Argjentinës, mes tyre edhe golin kontrovers që hyri në histori si “Dora e Zotit”.
Pak minuta më vonë, Maradona shënoi edhe një nga golat më të famshëm në historinë e futbollit, pas një aksioni individual spektakolar. Goli u votua më vonë si “Goli i Shekullit”.
Topi u mbajt për më shumë se tri dekada nga arbitri tunizian Ali Bin Nasser, i cili kishte drejtuar atë ndeshje. Ai e nxori në ankand në vitin 2022, kur u shit për 2.37 milionë dollarë.
Topi u nxor sërish në ankand në vitin 2023, por nuk arriti të shitej pasi nuk u plotësua çmimi rezervë.
Pas eliminimit të Anglisë, Argjentina vazhdoi rrugëtimin deri te trofeu dhe u shpall kampione e botës për herë të dytë, pas fitores 3-2 ndaj Gjermanisë Perëndimore në finale./A.K/
