Aktori britanik, Tom Holland, është takuar me fansat në qendër të Glasgow gjatë xhirimeve të filmit më të ri të Marvel-it, “Spider-Man: Brand New Day”, që pritet të jetë kapitulli i ardhshëm në sagën e famshme të superheroit.
Xhirimet nisën të premten dhe pritet të zgjasin për dy javë, me rrugë të tëra të qytetit që janë transformuar për të imituar atmosferën e një qyteti amerikan.
Disa zona të Glasgout janë bllokuar për qarkullim, autoritetet paralajmëruan për ndërprerje e devijime të përkohshme, shkruan BBC. Holland u pa të dielën duke xhiruar një skenë aksioni me kostumin e Spider-Man, përpara se t’i afrohej një grupi fansash të mbledhur aty pranë.
Rreth 100 persona ndoqën momentet e xhirimit, aktori ndau disa çaste me ta jashtë kamerave. Ky është projekti i dytë që Tom xhiron në Skoci. Më herët, ai u pa në zona të ndryshme përreth Inverness dhe Moray për filmin “The Odyssey”, të drejtuar nga regjisori Christopher Nolan.
Glasgou është shndërruar në një nga destinacionet më të preferuara për filmat e mëdhenj të Hollywood-it.
Në vitet e fundit, qyteti ka shërbyer si sfond për filma si “The Flash”, “The Batman”, “Indiana Jones and the Dial of Destiny” dhe shumë të tjerë, duke zëvendësuar metropole si New York-u apo edhe Gotham City-n e famshëm.