Aktori i njohur Tom Cruise ka befasuar fansat me transformimin e tij të plotë në filmin e ri “Digger”, duke nxitur diskutime se ky rol mund t’i sjellë atij çmimin e parë Oscar.
Cruise, 64 vjeç, interpreton miliarderin e industrisë së naftës, Digger Rockwell, një personazh që përpiqet të shpëtojë njerëzimin nga një katastrofë mjedisore të cilën vetë e ka shkaktuar.
Për këtë rol, aktori është shndërruar përmes protezave në fytyrë dhe trup, duke u paraqitur më i moshuar, me peshë të shtuar dhe me flokë të thinjura, një pamje krejt ndryshe nga rolet aksion që e kanë bërë të famshëm.
Pas publikimit të trailerit të parë, rrjetet sociale u mbushën me reagime nga fansat, të cilët vlerësuan transformimin dhe interpretimin e tij.
“Tom Cruise duket krejtësisht i panjohshëm. Zëri, mënyra e interpretimit dhe prania në ekran janë krejt ndryshe”, shkroi një komentues.
Të tjerë theksuan se aktori ka marrë një sfidë të re, duke lënë pas rolet e mbushura me aksion dhe duke u fokusuar në një paraqitje më dramatike.
Filmi “Digger” pritet të jetë një nga projektet më të diskutuara të Cruise, ndërsa performanca e tij tashmë ka nisur të përmendet si një nga rolet që mund ta afrojë me garën për një çmim prestigjioz të kinemasë./A.K/
