Ministri ukrainas i Kulturës, Oleksandr Tkachenko, ka akuzuar Rusinë për atë që ai e quan “gjenocid kulturor” në vendin e tij.
Ai thotë se 160 kisha ukrainase dhe të paktën dy muze janë shënjestruar qëllimisht nga trupat ruse thjesht sepse përfaqësojnë identitetin e veçantë kulturor të Ukrainës.
Vetëm në Kharkiv, rreth 500 ndërtesa janë të listuara si me rëndësi arkitekturore historike. Sipas një organi që dokumenton vendet e trashëgimisë së dëmtuar, shumica janë në qendrën e dendur historike të qytetit, në të cilën janë përqendruar sulmet ajrore ruse.
Në të gjithë vendin, vullnetarët janë bashkuar në një përpjekje të madhe për të hequr objekte me vlerë nga vendet që konsiderohen të jenë nën kërcënimin e sulmit.
“Sipas bindjeve të mia, është sigurisht gjenocid. Nuk ka të bëjë vetëm me njerëzit, dua të them [për] jetën dhe territorin njerëzor. Ka të bëjë gjithashtu me identitetin tonë që përfaqëson trashëgiminë tonë kulturore, gjuhën tonë, historinë”, tha Oleksandr Tkachenko për Euronews.
“Putini dhe regjimi i tij po mohojnë identitetin e ukrainasve, ata po përpiqen të shkatërrojnë gjithçka që lidhet me trashëgiminë kulturore”, shtoi ai.
Në një përpjekje për të përshpejtuar misionin e shpëtimit, Ministria e Kulturës e Ukrainës ka bashkëpunuar me Uber.
Gjigandi i teknologjisë amerikane ka zhvilluar një version të personalizuar të aplikacionit të tij për të transportuar mbrojtësit atje ku ata janë të nevojshëm.
CEO i kompanisë, Dara Khosrowshahi tha për Euronews se furgonët Uber kanë transportuar ekipe pa pagesë midis vendeve të evakuimit dhe ruajtjes.
“Kultura ukrainase është një kulturë e thellë që meriton të mbrohet”, thotë Khosrowshahi.
Në pjesët e pushtuara të Ukrainës, Moska po përpiqet në mënyra të ndryshme të imponojë gjuhën dhe kulturën ruse mbi popullsinë vendase.
Për ukrainasit, lufta nuk ka të bëjë vetëm me jetë dhe territor, por është një betejë ekzistenciale për mbijetesë kulturore./UBTNews/