Mëngjesin e sotëm, sulmet ajrore izraelite në Gaza kanë rezultuar në vrasjen e të paktën 12 palestinezëve, duke thelluar edhe më tej krizën humanitare në rajon. Banorët e zonës shprehen se frika nga sulmet e reja ajrore dhe tokësore është në rritje, ndërsa evakuimet e detyruara po realizohen me qëllim zbrazjen e zonave në veri të enklavës, për të krijuar zona tampon përball militantëve të Hamasit.
Sipas mjekëve, në sulmin e fundit në dy shtëpi në qytetin verior të Gazës, Beit Lahiya, kanë humbur jetën shtatë persona, ndërsa pesë të tjerë janë vrarë në sulme të veçanta në pjesët qendrore dhe jugore të enklavës. Izraeli ka dislokuar tanke në Jabalia, Beit Hanoun dhe Beit Lahiya që nga 5 tetori, me pretekstin se synon të parandalojë rigrupimin e luftëtarëve të Hamasit.
Situata humanitare po bëhet gjithnjë e më alarmante. Ministria palestineze e Shëndetësisë ka raportuar vazhdimin e bombardimeve nga forcat izraelite në Spitalin Kamal Adwan, duke shkaktuar plagosje të shumë stafit dhe pacientëve. Ndërkohë, Agjencia palestineze e OKB-së për refugjatët, UNRWA, ka paralajmëruar se Izraeli po zvogëlon numrin e kamionëve me ndihma të lejuara në Gaza, duke përkeqësuar mungesën e ushqimit, ilaçeve dhe furnizimeve të tjera thelbësore për jetesën.
Izraeli e ka mohuar akuzën për zvogëlimin e ndihmave, por ka njoftuar se do të përfundojë marrëdhëniet me UNRWA-në, një nga ofruesit kryesorë të ndihmës për civilët palestinezë gjatë këtij konflikti të vazhdueshëm.
Shtetet e Bashkuara, përmes zëdhënësit të Departamentit të Shtetit, Matthew Miller, kanë bërë të qartë se Izraeli duhet të ndërmarrë hapa të shpejtë për të përmirësuar situatën humanitare në Gaza, ose përballen me kufizime të mundshme në ndihmën ushtarake amerikane. Miller njoftoi se Sekretari i Shtetit, Antony Blinken, pritet të bisedojë me zyrtarët izraelit këtë javë.
Letra e dërguar për Izraelin përshkruan hapat specifikë që qeveria e kryeministrit Benjamin Netanyahu duhet të ndërmarrë brenda 30 ditëve. Këto përfshijnë sigurimin e hyrjes së një minimumi prej 350 kamionësh në Gaza çdo ditë, vendosjen e pauzave në luftime për të lejuar dërgimin e ndihmave, si dhe anulimin e urdhrave të evakuimit për civilët palestinezë kur nuk ka nevojë operacionale. Kjo situatë shënon një ndryshim të dukshëm në mbështetjen e Uashingtonit për Tel Avivin që nga fillimi i konfliktit, duke e theksuar nevojën për veprime emergjente për të parandaluar një krizë të mëtejshme humanitare./Euronews/