UBT News

Tiranë: Tensione në lagjen “5 Maji”, parashikohet të shemben 12 banesa

Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit të Shqipërisë ka nisur mëngjesin e sotëm aksionin për shembjen e shtëpive në lagjen “5 Maji” në Tiranë. Sipas mediave, sot parashikohet që të shemben 12 banesa, ndërsa më parë janë shembur dhjetëra të tjera.

Nga pamjet e publikuar në media, aksioni është shoqëruar me tensione dhe përplasje mes banorëve dhe policisë.

Banorët e njësisë administrative numër 4 dhe numër 8 që preken nga ky plan, do të strehohen më tej në një bllok pallatesh që ndërtohet po te “5 maji”, ku do të jetojnë banorët e dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit dhe ata që i kap plani zhvillimor.

Si pasojë e këtyre përplasjeve u njoftua se 8 punonjës policie janë lënduar.

Policia e Shtetit njoftoi sot se, “në orët e para të mëngjesit, në zbatim të vendimit për shembjen e disa banesave në rrugën “5 Maji”, gjatë rezistencës së banorëve, janë dëmtuar në detyrë 5 punonjëse të Policisë së Shtetit dhe 3 punonjës të Policisë Bashkiake”.

“Ata kanë marrë dëmtime nga sende të forta dhe lëndë djegëse dhe ndodhen në Spitalin e Traumës, duke marrë ndihmën mjekësore”, informon Policia.

“Strukturat e DVP Tiranë, të angazhuara në planin e punës, në mbështetje të strukturave të IMT-së dhe Policisë Bashkiake, janë mbështetur më pas nga FNSH që kanë normalizuar situatën dhe kanë krijuar mundësinë për vijimin e shembjeve”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Policia e Tiranës ka shoqëruar disa persona në Komisariat dhe sipas tyre, cilido që ka ushtruar dhunë ndaj punonjësve të Policisë, do përballet me ligjin.

Përplasjet kanë ardhur pas disa pakënaqësive të banorëve që nuk duan t’u shemben shtëpitë, ndërsa qeveria ka planifikuar një lagje të re të projektuar nga arkitekti italian, Stefano Boeri.

Më herët ishte thënë se, kjo lagje do të kthehet në një qendër të re policentrike të Tiranës, me një qasje të re të zhvillimit urban, ekonomik e social, me infrastrukturë moderne. Në këtë kantier janë angazhuar 1600 të punësuar.

Exit mobile version