UBT News

Tiranë: Fati politik i opozitës – ndarja e Bashës nga Berisha

Vetë Basha e ka premtuar këtë pak orë pas shpalljes zyrtare të fitores së tij në fillim të kësaj jave, (14.06), përballë tre kandidatëve të tjerë në garë, kur deklaroi që “zgjedhjet për kryetar të PD-së ishin një proces demokratik që e ngre partinë në lartësinë e emrit dhe historisë”.

Historia: A do të hapë Basha një kapitull i ri?

Historia e PD-së është me dritë dhe hije. Ajo do të mbetet në histori si partia e parë opozitare në Shqipëri pas 45 vitesh regjimi komunist dhe ndalimi të pluralizmit politik. Por historinë e saj të deritanishme e errësojnë ngjarje të rënda si lejimi i skemave piramidale, shembja  e shtetit dhe ꞔuarja e vendit në vitin 1997 në prag të luftës civile, skandali i Gërdecit në vitin 2008, vrasja e katër protestuesve të paarmatosur në protestën e socialistëve opozitarë në janar 2011.

Lulzim Bashës i duhet të hapë një kapitull të ri dhe të shkëputet me vendosmëri nga hijet e historisë. Pas tri humbjesh rradhazi dhe akuzave brenda PD-së për “gabime të rënda në vizionin politik të aksionit opozitar”, Lulzim Bashës i duhet të rikonceptojë PD-në dhe strategjinë e saj.

Aleksandër Çipa, analist i pavarur në Tiranë, kryetar i Shoqatës së Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë, thotë për DW se “nuk bëhet fjalë për një ringritje të shpejtë, pasi kryesimi i PD-së nga Basha, momentalisht nuk është një faktor premtues për shkak të mossukseseve të tij të përsëritura dhe hendekut të  thellë mes atyre që premton dhe atyre që arrin.” “PD-së i duhet një lidership kurajoz që  vizionin e ka përtej gjendjes së saj aktuale dhe trashëgimisë politike. Ajo duhet të rikthehet fuqimisht me aksione politike energjike në institucione përballë një shumice parlamentare sfidante, por edhe me shëndet të tepërt nga qeverisja në tre mandate”, thotë ai për DW.

Aleksander Çipa

Parashikimet për ringritjen e PD-së nga Basha, derisa të ketë sinjale që kjo vërtet po ndodh, karakterizohen nga skepticizmi. “Shanset që opozita të ndryshojë nën drejtimin e Bashës  janë të pakta. Pas zgjedhjeve, PD deklaroi që nuk e njeh rezultatin e tyre, por do hyjë ne Kuvend. Gjatë fushatës për zgjedhjen e kryetarit, ky qëndrim ndryshoi. PD-ja do të marrë më vonë një vendim në lidhje me Parlamentin. Kjo tregon qartë se Lulzim Basha nuk ka ndryshuar dhe opozita e tij pritet të mos ndryshojë. Mendoj që do të jetë po ajo opozitë që shkon nga ekstremi në normalitet me lehtësi të pabesueshme, pa shpjeguar asgjë dhe pa i dhënë llogari askujt. Basha ka mundësi ta ngrejë PD-në, nëse arrin arrin të veprojë ndryshe nga Basha i deritanishëm”, thotë për DW, Enton Abilekaj, gazetar, Drejtor i Portalit, Dosja.al.

Albanien | Parlamentswahlen 2021 | Tableau 26.04.21

A është Basha një lider i së resë?

Kur regjimi komunist u rrëzua Lulzim Basha ishte 16 vjeç. gjimnazist në Tiranë. Pa të kaluar komuniste, i ri dhe i arsimuar në Perëndim, me shpresa të mëdha për të qenë një lider i së resë.  “Vërtet nuk i përket së vjetrës por ai nuk përballet me të, që t’i përkasë së resë.Ai është si një ekuilibrues i së resë që kërkon hapësirë dhe së vjetrës që nuk e lëshon,” thotë për DW, Enton Abilekaj.

Analisti Çipa e krahason pozitën e tij me atë të pengmbajtjes. “Mbahet peng prej kundërshtarësh të fuqishëm politik si qeverisës ashtu edhe vektorë të tjerë të spektrit partiak opozitar. Këta të fundit do të shfaqen ndofta edhe më dukshëm në muajin shtator dhe tetor të këtij viti, kur të konstituohet parlamenti, qeveria dhe të kemi akte të reja konstitucionale”, thotë për DW Aleksandër Çipa.

Fjala është për vendimin e Gjykatës Kushteuese lidhur me votimin pro të Parlamentit për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta. Nëse kjo gjykatë e miraton vendimin e Parlamentit dhe shkarkon presidentin Meta, ka gjasa që ai të marrë në dorë drejtimin e partisë,”Lëvizja Socialiste për Integrim, aleate e PD-së në përpjekjet për rrëzimin e qeverisë Rama.

Para zgjedhjeve të 25 prillit

Fati politik i opozitës – ndarja e Bashës nga Berisha

Lulzim Basha erdhi në krye të PD-së, kur lideri historik i saj, Sali Berisha dha dorëheqjen, pas humbjes së zgjedhjeve parlamentare më 2013. Në tetë vitet e deritanishme të PD-së në opozitë, Basha është perceptuar si një lider nën hijen e atit të tij politik, Berishës.

“Ky perceptim do të qendrojë përsa kohë Lulzim Basha do të vazhdojë të kujdeset që Berisha të mos preket apo të mos zemërohet nga vendimet e tij, derisa Basha të vazhdojë  të sillet si administrator i pronës së Berishës dhe jo si lider i një partie të të gjithëve. Mendoj që Berisha nuk ka pasur ndikim të madh në vendimmarrjen e PD-së, por qëndrimet e Bashës, me sytë nga Berisha, frika e Bashës për prishjen e humorit të tij, kanë krijuar perceptimin se pas tij është ish-kryetari historik i PD-së,” thotë për DW, Enton Abilekaj.

Aleksandër Çipa e sheh suksesin e Bashës në ringritjen e PD-së  me “çlirimin e tij një orë e më parë nga lideri i saj historik, Berisha”.”Kjo është një çështje serioze.  Berisha ka së fundi një protagonizëm të rikthyer për hall vetiak. Pas aktit zyrtar të shpalljes “person i padëshëruar” nga Departamenti Amerikan i Shtetit dhe Sekretari i Shtetit, Antony Blinken, Berisha ka bërë deklarime për rikthim në krye të PD-së. Kjo është shtim i hijes së tij mbi kryet e kryetarit zyrtar të PD-së, Bashës. Berisha mund të bëhet një pengesë serioze për Bashën, përmes ndërhyrjes së dukshme dhe të padukshme në punët e familjes politike si dhe grupeve brenda PD-së, thekson Çipa për DW.

Enton Abilekaj

Shtatori muaji i zhvillimeve potenciale

Pakënaqësia brenda PD-së ndaj Bashës, fraksionet dhe grupimet brenda saj dhe vendosmëria e tyre për të vazhduar betejën politike kundër tij, parathonë një vjeshtë jo të qetë për PD-në. “Do të ketë zhvillime në vjeshtë që do të përcaktohen edhe nga pozita dhe gjendja që do të bartë apo do të ketë zoti Berisha pas muajve të parë të mbledhjes së Parlamentit të ri dhe krijimit të qeverisë së re. Problemet e brendshme të PD-së janë shtuar pas zgjedhjeve të kryetarit”, thotë Aleksandër Çipa.

Problemet e shtuara parathonë edhe zhvillime të reja potenciale për zgjidhjen e tyre. “Zhvillimet brenda PD-së janë në të mirën e vetë kësaj partie, opozitarizmit dhe shoqërisë. Opozita ka nevojë për një përgjigje të re ndaj qeverisjes së pakontrolluar të Edi Ramës që po shndërrohet në një regjim autokratik. Nëse PD nuk do jetë përgjigja, atëherë do të gjendet një mjet tjetër, një forcë e re ose një aleancë e re”, thekson për DW, Enton Abilekaj.

Exit mobile version