Tirana po përgatitet të mirëpresë një nga ngjarjet më të mëdha muzikore të organizuara ndonjëherë në Shqipëri, me koncertin e reperit amerikan Kanye West, i planifikuar të mbahet më 11 korrik.
Interesi për këtë event ka qenë i jashtëzakonshëm, me një numër të madh biletash të shitura si nga publiku vendas, ashtu edhe nga vizitorë ndërkombëtarë.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka publikuar pamje nga stadiumi i ndërtuar posaçërisht për këtë koncert, duke theksuar se interesi ndërkombëtar ka qenë edhe më i madh se ai për finalen e UEFA Conference League që u zhvillua në Tiranë.
Sipas tij, gjatë fundjavës së koncertit kryeqyteti shqiptar do të shndërrohet në një qendër të rëndësishme të muzikës dhe argëtimit.
“Eagle Stadium”, i ndërtuar pranë autostradës Tiranë–Durrës, është projektuar për të pritur rreth 60 mijë spektatorë. Organizatorët e konsiderojnë këtë event si koncertin më të madh muzikor të mbajtur ndonjëherë në Shqipëri.
Çmimet e biletave variojnë nga 120 euro për hyrjet standarde deri në 339 euro për paketat VIP.
Koncerti në Tiranë është pjesë e turneut botëror të Kanye West për vitin 2026, i cili ka tërhequr vëmendje të madhe ndërkombëtare. Vetëm një muaj më parë, artisti performoi në Stadiumin Olimpik Atatürk në Stamboll, ku organizatorët raportuan pjesëmarrjen e rreth 118 mijë spektatorëve.
Organizimin e koncertit në Tiranë e ka marrë përsipër kompania “Streetlife”, me seli në Berlin, e njohur për organizimin e koncerteve të artistëve ndërkombëtarë si 50 Cent, Drake, Snoop Dogg, Kendrick Lamar dhe Nicki Minaj./A.K/
