Inteligjenca artificiale ka depërtuar në shumë industri, dhe kinemaja nuk bën përjashtim.
Shembulli më i fundit është rasti i Xicoia, kompani në pronësi të studios Particle 6, e cila ka krijuar nga e para një aktore që nuk ekziston në realitet: Tilly Norwood.
Ky personazh virtual ka ngjallur kuriozitet dhe debat në Hollywood për shkak të pasojave që sjellë në të ardhmen e industrisë së filmit.
“Ajo nuk zëvendëson një qenie njerëzore, është një krijim artistik, një vepër arti”, theksojnë producentët e saj në rrjetet sociale, duke iu përgjigjur polemikave të shumta.
Një aktore e gjeneruar, me personalitet të plotë
Sipas Eline Van der Velden, producente dhe pronare e Particle 6, Tilly Norwood nuk është krijuar si një fytyrë digjitale. Qëllimi ishte t’i jepnin karakter dhe personalitet, duke e bërë të duket si artiste e vërtetë. “Në fillim askush nuk e mori seriozisht. Në shkurt thanë se nuk do të ndodhte kurrë, por në maj nisën të na kërkonin takime. Tani, jemi gati të njoftojmë agjencinë që përfaqëson”, u shpreh ajo për Deadline.
Aktorë të tillë virtualë kanë potencial të pakufizuar: mund të interpretojnë çdo lloj roli, të punojnë pa pushim 24 orë në ditë dhe të përshtaten menjëherë me kërkesat e çdo skenari ose kompanie.
DeepFame dhe ndërveprimi me publikun
Tilly Norwood, falë motorit DeepFame, mund të jetë aktive edhe në rrjet duke komunikuar me ndjekësit si aktore reale. Karakteri i saj është i ndryshueshëm, pasi në thelb mbetet një produkt i krijuar me kujdes nga teknologjia.
Një epokë e re për industrinë e argëtimit
Ky fenomen nuk është i izoluar. Në gusht 2024 Higgsfield Records prezantoi Kion, i cili nënshkroi kontrata me vlerë miliona dollarëshe.
“Është fillimi i një epoke të re në muzikë”, deklaruan krijuesit e tij.
Nëse projektet si Tilly Norwood do të funksionojnë afatgjatë, mbetet për t’u parë. Por një gjë është e qartë: inteligjenca artificiale po ndryshon mënyrën se si krijohet dhe perceptohet arti në industrinë e filmit dhe muzikës. /A.Z/UBT News/