TikTok po përballet me një sfidë ligjore nga ish-komisionerja e fëmijëve për Anglinë, Anne Longfield, mbi mënyrën se si i mbledh dhe përdor të dhënat e fëmijëve.
Pretendimi po depozitohet në emër të miliona fëmijëve në Britaninë e Madhe dhe BE të cilët kanë përdorur aplikacionin e famshëm. Nëse pretendimi rezulton i vërtetë, fëmijëve të prekur TikTok mund t’u detyrohet mijëra paundë.
Avokatët pretendojnë se TikTok merr informacione personale të fëmijëve, duke përfshirë numrat e telefonit, videot, vendndodhjen e saktë dhe të dhënat biometrike, pa paralajmërim të mjaftueshëm, transparencë ose pëlqimin e nevojshëm të kërkuar nga ligji, dhe pa e ditur fëmijët ose prindërit se çfarë po bëhet me ato informacione.
Si përgjigje, aplikacioni tha:
“Privatësia dhe siguria janë përparësitë kryesore për TikTok dhe ne kemi politika të fuqishme, procese dhe teknologji të vendosura për të ndihmuar në mbrojtjen e të gjithë përdoruesve, dhe veçanërisht të përdoruesve tanë adoleshentë. Ne besojmë se pretendimet nuk kanë baza dhe do t’i shkojmë kësaj çështjeje deri në fund”.
Pretendimi është ngritur në emër të të gjithë fëmijëve që kanë përdorur TikTok që nga 25 maji i vitit 2018.
Longfield tha pët BBC se ajo ishte përqëndruar te TikTok sepse, ndërsa të gjitha platformat e mediave sociale mblidhnin informacion, TikTok kishte politika “të tepërta” të mbledhjes së të dhënave.
“TikTok është një platformë jashtëzakonisht e popullarizuar e mediave sociale që ka ndihmuar fëmijët të mbajnë lidhje me miqtë e tyre gjatë një viti tepër të vështirë. Sidoqoftë, prapa këngëve argëtuese, sfidave të vallëzimit dhe trendeve të sinkronizimit të buzëve qëndron diçka shumë më e keqe.”
Ajo pretendon se firma është “një shërbim i mbledhjes së të dhënave që është mbuluar si një rrjet social” i cili ka “mashtruar qëllimisht dhe me sukses prindërit”.
Ajo shtoi se ata prindër kanë të drejtën të dinë se çfarë informacioni privat po mblidhet përmes TikTok.
Çështja po përfaqësohet nga firma ligjore “Scott and Scott”. Partneri Tom Southwell tha se ai besonte se informacioni i mbledhur nga TikTok përfaqëson “një shkelje të rëndë të ligjit për mbrojtjen e të dhënave në Mbretërinë e Bashkuar dhe BE”.
“Të ardhurat nga reklamat e TikTok dhe ByteDance janë të bazuara në informacionin personal të përdoruesve të saj, përfshirë fëmijët. Të përfitosh nga ky informacion pa përmbushur detyrimet e tij ligjore dhe detyrën e tij morale për të mbrojtur fëmijët në internet, është e papranueshme”, -tha ai.
Kjo nuk është hera e parë që ndaj TikTok ngrihen pretendime për problemin e sigurisë së përdoruesve.