TikTok nisi të mërkurën një përpjekje të re për të qetësuar shqetësimet e liderëve evropianë mbi sigurinë e të dhënave, ndërsa qeveritë perëndimore konsiderojnë ndalime të mëtejshme për platformën.
Fuqitë perëndimore, përfshirë Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara, kanë marrë një qasje të ashpër ndaj aplikacionit, i cili është në pronësi të kompanisë kineze ByteDance.
Ata janë të shqetësuar se Pekini mund të aksesojë të dhënat e ndjeshme të përdoruesve nga e gjithë bota.
Drejtuesit e TikTok thanë se kompania po punonte me një kompani sigurie evropiane të palës së tretë për të mbikëqyrur dhe kontrolluar se si i trajton të dhënat e përdoruesve evropianë, të cilat do të ruhen në tre qendra në Dublin dhe Norvegji nga viti 2023 e tutje.
TikTok këmbënguli se ky projekt do të reduktonte gjithashtu aksesin e punonjësve të tij në të dhënat e përdoruesve.
Kompania ka refuzuar të emërojë partnerin, por projekti është me vlerë 1.2 miliardë euro dhe filloi gjashtë muaj më parë, tha për gazetarët Theo Bertram, nënkryetari i politikave publike evropiane të TikTok.
Institucionet qeverisëse të BE-së i thanë stafit javët e fundit që të largonin aplikacionin nga telefonat dhe laptopët që përdoren për qëllime pune.
Ligjvënësit amerikanë po nxisin një projekt-ligj që do ta bënte më të lehtë ndalimin e aplikacionit.
Disa qeveri kombëtare në Evropë kanë kufizuar gjithashtu TikTok-un për punonjësit e qeverisë, dhe të tjera po shqyrtojnë se si të trajtojnë shqetësimet e sigurisë kibernetike që lindin nga aplikacioni.
Republika Çeke u bë e fundit që lëshoi paralajmërime të mërkurën./UBTNews/