UBT News

Thirrjet për protesta në jug të Mitrovicës, Policia: Qëllimkëqija dhe të dyshimta

Policia e Kosovës u ka bërë thirrje qytetarëve të shpërfillin thirrjet për pjesëmarrje në një protestë për të cilën persona nga profile të ndryshme kanë shpërndarë thirrje.

Përmes një komunikate për media, Policia e Kosovës ka deklaruar të enjten se është në dijeni që nëpër mediave të ndryshme sociale, nga persona dhe profile të ndryshme, janë duke qarkulluar postime me thirrje ndaj qytetarëve shqiptarë, për pjesëmarrje në gjoja protestë masovike në orën 12:00 në Jug të Mitrovicës dhe me synim kinse për marshim në veri të vendit.

“Dëshirojmë të sqarojmë se pas vlerësimeve nga institucionet e sigurisë është vërtetuar se shumë nga këto profile janë të dyshimta dhe se postimet mund të jenë qëllimkëqija, në dëm të vet qytetarëve dhe interesave të Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Prandaj Policia e Kosovës fton qytetarët për qetësi dhe të mos bien pre e asnjë gjoja organizimi nga persona të panjohur, por të lënë institucionet e sigurisë, institucionet e Republikës së Kosovës të trajtojnë situatën me profesionalizëm.

“Garantojmë qytetarët se institucionet e Kosovës në përgjithësi, e në veçanti Policia e Kosovës, janë plotësisht të aftë dhe të përkushtuar për të garantuar siguri, rend dhe qetësi për të gjithë qytetarët pa dallim. Ne e vlerësojmë lartë bashkëpunimin dhe mbështetjen e qytetarëve të Republikës së Kosovës, në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në vend”, thuhet në komunikatë. 

Exit mobile version