Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, i ka quajtur kërkesa të Beogradit, thirrjet që kryetarët e katër komunave në veri të japin dorëheqje për t’i hapur rrugë zgjedhjeve të reja atje.
Ministri Krasniqi në konferencë për medie pas mbledhjes së qeverisë të mërkurën, ka nënvizuar se zgjedhjet e parakohshme në veri duhet të bëhen vetëm përmes iniciativës së qytetarëve të mbledhjes së nënshkrimeve.
“Udhëzimi administrativ është një instrument demokratik. Largimi i kryetarëve përmes këtij është një proces demokratik dhe gjithçka tjetër nuk është kërkesë e qytetarëve atje por janë kërkesa të Beogradit dhe ne nuk jemi këtu që të përkujdesemi për kërkesa të Beogradit. Ato nuk janë demokratike dhe nuk janë në të mirën e qytetarëve”, theksoi Krasniqi.
Gjithçka tjetër sipas tij nuk është në interes të qytetarëve dhe nuk garanton se do të përsëritet e njëjta situatë në veri.
“Udhëzimi administrativ është forma demokratike e përmbushjes së një kërkesë të qytetarëve për largimin e kryetarëve nga zyrat. Nëse ka vullnet të qytetarëve për mbledhje të 20 për qind të nënshkrimeve pastaj do të organizohet votimi për largimin e kryetarëve të komunave. Nëse rezultati është 50 plus një votë atëherë do të organizohen zgjedhjet. Nuk dua të flas për situatë hipotetike, por kush të garanton se serbët marrin pjesë në zgjedhjet e ardhshme nëse kryetarët japin dorëheqje. Pra mund të përsëritet e njëjta situatë. Prandaj është e rëndësishme që të kemi një iniciativë dhe vullnet të qytetarëve që do të marrin pjesë në zgjedhje”, tha ai.
Ai përsëriti se Udhëzimi administrativ që mundëson shkarkimin e kryetarëve në veri është në harmoni me legjislacionin në fuqi dhe Kushtetutën.
Dje emisari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gabriel Escboar tha se dorëheqja e kryetarëve në katër komunat në veri është mënyra më e shpejtë për shpalljen e zgjedhje të reja në veri.