Franca, Gjermania, Italia, Mbretëria e Bashkuar, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, përmes një deklarate të përbashkët, kanë thënë se mirëpresin referendumin kombëtar të Serbisë të 16 janarit për ndryshimet kushtetuese “si një hap kyç për të forcuar pavarësinë e gjyqësorit dhe për të rritur transparencën dhe efektivitetin e institucioneve te shtetit të sundimit te ligjit”.
“ Ne besojmë se këto reforma janë një hap përpara drejt përafrimit të Serbisë me standardet evropiane dhe do të mbështesin procesin e anëtarësimit të Serbisë në BE”.
“Ne kemi inkurajuar të gjithë qytetarët e Serbise që të marrin pjesë në referendum dhe besojmë se është e rëndësishme që votuesit me të drejtë vote të mund të votojnë në zgjedhje dhe referendume. Vërejmë me keqardhje se qeveria e Kosovës nuk ka lejuar Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) të mbledhë fletëvotimet e votuesve me të drejtë vote që jetojnë në Kosovë për referendumin e ardhshëm, në përputhje me praktikën e kaluar”.
“Ne i bëjmë thirrje qeverisë së Kosovës që të lejojë serbët në Kosovë të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës në zgjedhje dhe procese zgjedhore në përputhje me këtë praktikë të vendosur”.
“I bëjmë thirrje qeverive të Kosovës dhe Serbisë që të përmbahen nga veprimet dhe retorika që rrisin tensionet dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja”.
“Është e rëndësishme që të dyja qeveritë të arrijnë progres drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse që hape perspektivën e BE-së dhe rrit stabilitetin rajonal”, thuhet në deklaratë./UBTNEWS