UBT News

‘Thertorja njerëzore’ e Sirisë bie në duart e rebelëve, çlirohen nga ‘qelitë e kuqe’ tre kate nën tokë qindra të burgosur

Burgu Sednaya, i njohur si “thertorja njerëzore” e Sirisë, ra në duar të rebelëve të shtunën, pasi sundimi i regjimit të Bashar al-Assad përfundoi. Militantët e opozitës arritën të çlirojnë mijëra të burgosur, përfshirë gra dhe fëmijë, duke hapur dyert e burgut që kishin mbajtur qindra të burgosur për vite me radhë.

Sipas Observatorit Sirian për të Drejtat e Njeriut, “dyert e burgut Sednaya, i njohur si një ‘thertore njerëzore’, janë hapur për mijëra të burgosur”. Pamjet nga vendi i ngjarjes tregojnë rebelët që thyejnë dyert dhe shpallin lirinë e të burgosurve, ndërsa mijëra njerëz, të cilët kishin kaluar vite të tëra në burg, u panë duke dalë dhe duke shpërthyer në duar nga gëzimi në rrugë.

Megjithatë, ndonëse shumë të burgosur arritën të liroheshin, disa pjesë të burgut, përfshirë “qelitë e kuqe” që ndodhen tre kate nën tokë, mbetën të mbyllura. Aktivisti lokal, Omar Saud, konfirmoi se këto qeli ende nuk ishin hapur pasi kërkonin një mekanizëm të veçantë për t’u çliruar. Ai i bëri thirrje Mbrojtjes Civile Siriane për të marrë masa urgjente dhe për të realizuar operacione për lirimin e të burgosurve të mbetur.

Në momentin kur u arrit të hapeshin disa prej këtyre qelive, pamjet ishin tronditëse. Një nga të burgosurit që u çlirua nuk ishte në gjendje të fliste dhe nuk mundi të mbante mend as identitetin e tij, duke treguar shkatërrimin e thellë psikologjik që ky vend ka shkaktuar për shumë individë.

Familjet që kishin humbur të dashurit e tyre vite më parë tani u ribashkuan, dhe në të gjithë Sirinë, lotët e gëzimit shpërthyen kur fëmijë, vëllezër, motra dhe prindër u takuan sërish.

Burgu Sednaya, i njohur nga sirianët dhe organizatat për të drejtat e njeriut si një “thertore njerëzore”, ka qenë një vend i tmerrshëm për shumë vite. Në një raport të vitit 2017, Amnesty International e cilësoi burgun si vend ku autoritetet siriane kryenin krime kundër njerëzimit për shkak të shkeljeve të rënda të të drejtave të njeriut që ndodhnin aty./UBTNews/

 

Exit mobile version