Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit për të pandehurin G.M, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale vrasje e rëndë.
Sipas njoftimit, gjyqtari i procedurës paraprake ka aprovuar si të bazuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për caktimin e masës së paraburgimit për të pandehurin G.M dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji.
“Gjykata vlerësoi se caktimi i masës së paraburgimit është masë adekuate dhe e domosdoshme, sepse nëse i pandehuri lihet në liri, ekziston rreziku i ikjes së tij, i njëjti mund të shmanget nga procedura penale, duke pasur parasysh rrethanat dhe mënyrën se si është kryer vepra penale, si dhe mund të ndikojë në dëshmitarë, andaj gjykata vlerëson se lënia në liri e të pandehurit mund të rrezikojë në masë të madhe zhvillimin e drejtë të procedurës penale. Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë”, thuhet në njoftim.
Një person ka vdekur si pasojë e goditjes me mjet të mprehtë mbrëmjen e 27.10.2024 në Prishtinë. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 20:30 në rrugën “Tirana”, dhe shkak ishte një mosmarrëveshje mes dy personave, ku dyshohet se njëri ka goditur personin tjetër me një mjet të mprehtë. Siç raportuan mediat, vëllau ka therur vëllanë për vdekje!