Mbrëmë në Prishtinë një person është therur për vdekje. Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.
Ajo ka bërë të ditur se ngjarja ka ndodhur rreth orës 22:00, kur Policia kishte marrë informatën fillimisht për një lëndim të rëndë trupor në rrugën “Ali Vitia”, në kryeqytet.
“Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet e nevojshme policore. Bazuar në të dhënat fillestare, dyshohet se nga arma e ftohtë (thikë) lëndime të rënda trupore, ka pësuar një person, i cili është dërguar për tretman mjekësor, në QKUK, nga ku jemi njoftuar se personi i lënduar nuk ka arritur t’i përballojë plagët dhe i njëjti ka ndërruar jetë”, ka thënë ajo.
Po ashtu, është bërë e ditur se personi i dyshuar është identifikuar dhe tashmë policia është vënë në kërkim të tij.
“Aktualisht hetuesit policorë, në koordinim me prokurorin e shtetit, janë në kërkim të personit të dyshuarit (i identifikuar) si dhe kanë nisur hetim për ndriçimin, sqarimin e të gjitha rrethanave që kanë të bëjnë me këtë ngjarje”, deklaroi ajo.