Biznesmeni rus Yevgeny Prigozhin ka reaguar në mënyrë mjaft sarkastike ndaj lajmeve se SHBA do të vendosë sanksione të reja kundër grupit të tij ushtarak privat Wagner.
Dje, Shtetet e Bashkuara e caktuan Wagnerin, i cili po lufton në anën ruse në disa nga betejat më intensive të luftës së Ukrainës, si një organizatë kriminale transnacionale përgjegjëse për abuzimet e përhapura të të drejtave të njeriut.
Në një deklaratë për shtyp, z. Prigozhin tha,“Ne kryem një kontroll të brendshëm mbi temën e krimeve të grupit Wagner, por nuk gjetëm asgjë të dëmshme”.
“Nëse dikush ka ndonjë informacion në lidhje me krimet e Wagnerit, ju lutemi dërgoni atë në shërbimin tonë të shtypit ose publikojeni atë në media, në mënyrë që të mund t’i ndihmojmë kolegët tanë amerikanë të formulojnë qëndrimin e tyre”.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se nuk ishte hera e parë që Uashingtoni e “demonizonte” grupin.
“Kjo ka ndodhur për shumë vite. Si rregull, deklarata të tilla nga Uashingtoni janë të pabaza”.
Pas viteve veprimi në hije duke mohuar lidhjet e tij me Wagnerin, në shtator, z. Prigozhin pranoi se kishte themeluar organizatën, e cila gjithashtu ka dërguar ushtarë për të luftuar në Siri dhe në konfliktet anembanë Afrikës.
Muajt e fundit, ai është shfaqur si një nga figurat kryesore ruse në luftën në Ukrainë, duke u përplasur publikisht me ministrinë e mbrojtjes dhe gjeneralët e ushtrisë për strategjinë e lëkundur të fushatës ruse./UBTNews/