Bang Si-hyuk, producenti i njohur i K-pop-it dhe themeluesi i grupit BTS, mund të përballet me arrestim për akuza të tregtisë mashtruese përpara se kompania e tij, Hybe, të dilte në bursë.
Sipas policisë së Koresë së Jugut, ai dyshohet se në vitin 2019 ka mashtruar investitorët duke pretenduar se listimi publik i kompanisë nuk ishte i mundshëm, ndërkohë që në mënyrë të fshehtë po përgatiste daljen në bursë. Hybe u listua në tregun Kospi në tetor të vitit 2020, dhe autoritetet pretendojnë se Bang përfitoi rreth 200 miliardë won nga kjo situatë. Ai i ka mohuar akuzat.
Rasti është në hetim prej kohësh dhe ka përfshirë kontrolle në selinë e kompanisë, ngrirje të disa aseteve dhe thirrje për dorëheqjen e tij nga posti i drejtuesit. Bang, 53 vjeçari, ka deklaruar se veprimet e tij kanë qenë të rregullta dhe ligjore, ndërsa që nga muaji gusht i është ndaluar të udhëtojë jashtë vendit. Kërkesa për urdhër-arrest vjen vetëm disa javë pasi BTS nisi një turne botëror pas një pauze gati katërvjeçare. Sipas vlerësimeve të industrisë, kompania Hybe mund të përfitojë mbi 1 miliard dollarë nga ky turne, i cili përfshin 34 qytete në mbarë botën.
Njoftimi për turneun ndikoi edhe në rritjen e aksioneve të kompanisë, duke i shtuar mbi 1 trilion won vlerës së tregut. Sipas ligjit në Korenë e Jugut, personat që shpallen fajtorë për përfitime të paligjshme mbi 5 miliardë won mund të dënohen nga pesë vite burg deri në burgim të përjetshëm.
