UBT News

Themelohet Fondacioni Jim Xhema – një nismë e fuqishme për zhvillimin e talentit dhe arsimimin cilësor të rinisë shqiptare

UBT me përkrahjen e atdhetarit dhe lobuesit më të madh të Pavarësisë së Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Jim Xhemës, ka themeluar Fondacionin Jim Xhema, i cili ka për qëllim përkrahjen e të rinjve nga mbarë trojet shqiptare për zhvillimin e talentit të tyre dhe për një edukim sa më cilësor.

Fondacioni synon të ofrojë mbështetje të plotë për rininë, duke tejkaluar kufijtë gjeografikë dhe përfshirë rajone të ndryshme me komunitete shqiptare. Përkushtimi i Jim Xhemës dhe UBT-së ndaj kësaj tregon objektivin kryesor të fondacionit për të ndihmuar në zhvillimin e talenteve të reja, duke u mundësuar atyre të shfrytëzojnë potencialin e tyre dhe të kontribuojnë në mënyrë domethënëse në komunitetet e tyre dhe më gjerë.

Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi ka thënë se ky fondacion do të jetë në përkrahje të të gjithë të rinjve të cilët duan të zhvillojnë talentin e tyre dhe kontribuojnë në avancimin e fushës së tyre të studimit.

“Si dëshmi e përkushtimit të palëkundur ndaj avancimit të gjeneratës së re, Fondacioni Jim Xhema ngrihet si një dritë shprese dhe mundësie. Ky fondacion synon të krijojë një trashëgimi të qëndrueshme të fuqizimit, arsimimit dhe transformimit pozitiv në dobi të komunitetit shqiptar në përgjithësi”, ka thënë Rektori Hajrizi.

Në vitin e kaluar UBT në praninë e atdhetarit Jim Xhema, Rektorit Hajrizi, përfaqësuesve të Federatës Panshqiptare “VATRA”, përfaqësuesve të Rrjetit të Bizneseve Shqiptare në Diasporë, profesorëve dhe studentëve të UBT-së, zbuloi pllakën e objektit në Parkun Shkencor Inovativ në Lipjan me emrin “Jim Xhema Building”.

Në këtë eveniment madhështor, atdhetari Jim Xhema potencoi se do të vazhdojë të kontribuojë dhe angazhohet për studentët, të rinjtë shqiptarë dhe për të ardhmen e Kosovës dhe Shqipërisë.

“Më duhet që të sigurohem që ju e dini se jeni ardhmëria dhe shpresa jonë. Pa ju nuk ka asgjë dhe nuk do të arrihet shumë. Ju duhet që të angazhoheni e studioni shumë për të punuar për sigurinë e vendit tonë dhe ardhmërinë. Duhet t’i merrni studimet shumë seriozisht. Unë personalisht do të qëndrojë i lidhur me ju këtu dhe do të bëjë fonde me të cilat do të sigurohem që bashkërisht t’i arrijmë qëllimet tona”, u shpreh ai.

Së shpejti Fondacioni Jim Xhema do të shpall konkursin për bursa nga të cilat do të mund të përfitojnë të gjithë studentët dhe të rinjtë, për të zhvilluar më tej talentin e tyre.

Exit mobile version