Këngëtari kanadez The Weeknd ka publikuar këngën e tij më të re, të titulluar “Hong Kong”, si dedikim për qytetin që e priti gjatë ndalesës së tij në turneun botëror.
Kënga bazohet në melodinë dhe vokalin në gjuhën kantoneze të hitit “Monsoon”, të publikuar në vitin 1993 nga këngëtarja Faye Wong, një prej emrave më të njohur të muzikës Cantopop.
“Hong Kong” u interpretua për herë të parë më 24 tetor, në koncertin e parë të serisë së performancave të The Weeknd në këtë qytet, duke tërhequr menjëherë vëmendjen e publikut dhe përdoruesve të rrjeteve sociale.
Përmes këtij projekti, artisti shpreh vlerësimin e tij për muzikën Cantopop dhe krijimtarinë filmike të regjisorit Wong Kar-wai, një prej figurave më të njohura të kinematografisë aziatike.
Edhe kopertina e këngës ka një domethënie të veçantë. Ajo përmban një fotografi arkivore të Hong Kongut nga koleksioni personal i drejtorit të fotografisë Christopher Doyle, i njohur për bashkëpunimin me Wong Kar-wain në filmin “Chungking Express”, ku interpretojnë Faye Wong dhe Tony Leung.
Prezantimi i parë i këngës në skenë shkaktoi reagime të shumta në rrjetet sociale. Një fragment i publikuar në Instagram grumbulloi më shumë se 18 milionë shikime, ndërsa vëmendja ndaj projektit riktheu në qendër edhe këngën origjinale të Faye Wong, e cila nisi të ngjitej sërish në klasifikimet e platformave muzikore.
/A.K/
